Arbëri

Transfuzioni i gjakut nuk ka aparaturë për testimin serologjik të donatorëve të plazmës

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Klinika Infektive, e cila përveç se do të monitorojë pacientët që do të trajtohen me plazmën konvalescente, do të nisë vlerësimin e rasteve indikative të atyre që mund të jenë dhurues potencialë të plazmës. Por, një ditë pasi MSh-ja miratoi udhëzuesin për trajtim me plazmën konvalescente ministri Armend Zemaj ka thënë se transfuzioni i gjakut nuk ka aparaturë për testimin serologjik të pacientëve potencialë për dhurimin e plazmës

Prishtinë, 19 janar - Disa muaj pasi shtetet e rajonit kanë nisur trajtimin e pacientëve me Covid 19 me plazmën e atyre që e kanë kaluar këtë virus, institucionet shëndetësore në Kosovë vetëm tani po planifikojnë të nisin trajtimin e pacientëve më këtë terapi mbështetëse.

Klinika Infektive, e cila përveç se do të monitorojë pacientët që do të trajtohen me plazmën konvalescente, ajo do të nisë vlerësimin e rasteve indikative të atyre që mund të jenë dhurues potencialë të plazmës.

Në udhëzuesin për plazmën konvalescente, të miratuar dy ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë parashihet që institucionet si Transfuzioni i Gjakut përmes fushatave të ndryshme të promovojë dhe sensibilizojnë opinionin për dhurimin vullnetar nga ata që e kanë kaluar virusin dhe janë dhurues potencialë.

“Klinika Infektive do të bëjë vlerësimin e rasteve indikativë që të bëjnë kërkesa për rastet indikative për transfuzionin e gjakut, ndërsa ajo me ekipet e specializuara do të mbledh dhe grumbullojë rastet. Ne do të monitorojmë efektet e dhënies së plazmës”, ka thënë njëri nga përpiluesit e këtij udhëzimi, infektologu Sali Ahmeti.

Por institucioni i cili është i autorizuar për grumbullimin e gjakut dhe plazmës konvalescente si terapi mbështetëse nuk ka aparaturë për testimin e pacientëve potencialë.

Sipas këtij udhëzuesi, në mesin e tri testeve që ato doza gjaku duhet t’u nënshtrohen janë edhe testimi serologjik për antitrupat IgG dhe IgM.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë së martës ka thënë se aktualisht Transfuzioni i Gjakut nuk ka një aparaturë të tillë.

“Gjitha procedurat teknike janë finalizuar. Ajo çka duhet të ketë transfuzioni i gjakut është të ketë pajisjen serologjike që të fillojë me marrjen e kampionëve, por edhe aspektin shkencor të trajtimit, por mbi të gjitha edhe të daljes në ndihmë të pacientëve. Ne kemi siguruar numër të konsideruar të atyre testeve, ka edhe IKSHP edhe ShSKUK do të krijojmë edhe këtë mundësi që të kontribuojnë edhe në këtë drejtim”, ka thënë mes tjerash Zemaj.

Sipas infektologëve plazma e marrë nga pacientët që e kanë kaluar Covid 19 mund të sigurojë imunitet pasiv në formën e antitrupave neutralizues.

“Është një plazmë e cila merret nga personat të cilët e kanë kaluar Covid 19 dallon prej plazmës standarde, pasi ajo ka antitruptha të gatshëm të cilët pas proceseve të ndryshëm teknike futen në organizimin e njeriut dhe këta antritrupa neutralizues pengojnë futjen e virusit në organizëm. Dhënia e plazmës duhet të jetë sa më e hershme pasi do të pengojmë sasinë më të madhe që të depërtojë në qeliza”, ka bërë të ditur infektologu Ahmeti.

Koha ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Transfuzioni i Gjakut lidhur me kapacitetin dhe kur parashihet të nisë marrja e plazmës, por nuk ka marrë përgjigje.