Arbëri

Nuk ka asnjë paqartësi në krijimin e qeverisë, thotë Krasniqi

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në Rubikon të KTV-së ka thënë se me këto rezultate zgjedhore që ka arritur koalicioni PAN, do të vazhdojnë hapat drejt formimin të qeverisë.

“Fituesi i zgjedhjeve dihej qysh para 11 qershorit”, tha Krasniqi duke shtuar se e vetmja paqartësi ishte se kush do të jetë i dyti.

“Paqartësia ka qenë se kush do të jetë i dyti dhe këtë tashmë e kemi të qartë. E rëndësishme është që të vazhdojmë me procesin e rregullt deri te krijimi i qeverisë dhe deri të krijimi i institucioneve. Nuk ka si të quhet ndryshe nëse gara është për vendin e parë. Secila parti do të donte rezultat më të mirë se kaq, edhe ne do të donim më shumë se 45 deputetë, edhe ne kemi prit një rezultat më të mirë, rreth 45% por në fund të fundit është vendimi i qytetarit të Kosovës të cilin ne e respektojmë. Karshi këtij vlerësimi do të vazhdojmë hapat e ardhshëm”, ka thënë ai.

Krasniqi mbetet i sigurt që PDK edhe po të shkonte vetëm do t’i fitonte zgjedhjet. Koalicioni parazgjedhor u bë për lehtësim në krijimin e qeverisë dhe institucioneve sa më shpejtë.

Krasniqi beson se do të arrijnë të krijojnë qeverinë brenda periudhës kushtetuese dhe këtë me Ramush Haradinajn kryeministër.

“Të mos bëhen hapa imagjinar para hapave aktualë”, thotë Krasniqi duke bërë thirrje që edhe partitë tjera të bëjnë respektimin e procedurave kushtetuese.

“Jemi të bindur se qeveria e ardhshme do të krijohet pa humbur kohë duke respektuar të gjitha procedurat dhe do të jetë udhëheqës i kësaj qeverie kandidati jonë”, shtoi tutje Krasniqi.

Krasniqi thotë se tashmë në skenën politike ekziston një pjekuri politike ku duhet tejkaluar sic thotë ai egocentrizmi për postet politike. Këtu përmend presidentin Thaçi kur hoqi dorë nga posti dhe bëri koalicion me LDK-në, njëjtë si kryeparlamentari Kadri Veseli në rastin e koalicionit PAN.