Arbëri

Mbi 1200 infermierë u infektuan me koronavirus

Prishtinë, 19 janar (EkonomiaOnline) – Mbi 1200 infermierë janë infektuar me koronavirus që nga marsi i vitit të kaluar, kur edhe u raportuan rastet e para në Kosovë.

Fitim Havolli, kryetar i Sindikatës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, ka thënë se për momentin nuk ka ndonjë infermierë të infektuar me koronavirus që është në gjendje të rëndë.

“Prej marsit të vitit të kaluar e deri më tash më shumë se 1200 infermierë janë infektuar në vendin e tyre të punës, duke i shërbyer qytetarëve. Nuk kemi për momentin në gjendje të rëndë, e shpresojmë se nuk do të ketë as në të ardhmen”, ka thënë Havolli.

Ai ka folur për sulmet që kanë ndodhur kohët të fundit, ku janë sulmuar në vendet e punës infermierët. Ai këto sulme i ka quajtur si fenomen të ulët, duke shtuar se edhe përkundër që kanë rrezikuar edhe jetën në shërbim të qytetarëve, janë sulmuar nga këta të fundit, raporton EO.

“Është krijuar një fenomen jashtëzakonisht i ulët që është ka ndodh në mesin e shoqërisë tonë dhe sigurt për neve dhe për të gjithë institucionet ka qenë si fenomen i dënueshëm. I lus organet e drejtësisë që të gjitha ata që bëjnë kësi sulme ose akte të ulëta të marrin epilogun nga organet e drejtësisë sepse vërtet është tepër e rëndë ata të cilët po e rrezikojnë jetën për tu shërbyer pacientëve”, ka shtuar Havolli.

Më 9 janar një infermier dhe një anesteziolog janë kanosur dhe sulmuar fizikisht në vendin e tyre të punës në QKUK. Ata janë sulmuar nga një familjar i një pacienti.