Arbëri

Partitë përmbushin minimalisht kuotën elektorale gjinore

Saktësisht 33.5 për qind e 1081 kandidatëve për deputetë, që janë prezantuar nga 28 lista garuese për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë gra, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Me 362 gratë që do të garojnë në këto zgjedhje, partitë politike kanë përmbushur minimalisht kuotën elektorale gjinore prej 30 për qind, që sipas Ligjit për zgjedhje është obligative për secilin subjekt për t’u certifikuar.

Nga partitë e mëdha parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të grave në listën e kandidatëve. Me 41 garuese ajo prin në këtë “garë”. Pos saj, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kaluar kuotën prej 33 kandidateve, për një. Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate do të garojnë me nga 33, aq sa thotë kuota.

Në përqindje, më së miri qëndron Ujedinjenja Zajednica – Adriana Hoxhiq. Me gjashtë gra në mesin e 14 kandidatëve, përqindja e kandidateve në këtë listë është 42.9 për qind.

Të hënën gjatë ditës, Qendra Kosovare për Studime Gjinore u shpreh se e sheh shqetësuese trendin e ulët të përfaqësimit të grave në listat partiake.

“Mosofrimi i mundësive të barabarta për kandidim për gratë sikur për burrat është tregues që partitë politike ende nuk kanë vullnet politik për avancimin e barazisë gjinore. Kjo përqindje e ulët e grave në lista zgjedhore e cila do të reflektojë edhe në përbërjen e legjislaturës, përveç që e mirëmban mendësinë dhe praktikat përjashtuese ndaj grave në politikë, ka ndikim negativ edhe në procesin e politikëbërjes duke qenë se nuk garanton gjith përfshirjen e të interesave të të gjitha grupeve identitare dhe ekonomike, ndër dhe brenda gjinore”, thuhet në reagim.

Image