Arbëri

LDK thotë se në asnjë variant nuk do të qeverisë me PDK-në

Descriptive Text

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot mbajti takimin me kryetarët e degëve lidhur me zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

Me këtë kumtesë LDK-ja falënderon të gjithë qytetarët që e kanë mbështetur LDK-në dhe koalicionin e udhëhequr nga LDK, strukturat e saj, partnerëve të koalicionit për organizimin e fushatës parazgjedhore si dhe për gatishmërinë e tyre për të qëndruar së bashku si koalicion në rrugëtimin më tutje.

Kumtesa thotë se në ditët në vijim LDK-ja do të analizojë rezultatin e zgjedhjeve dhe do të marrë vendimet e nevojshme për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme lokale.

LDK-ja respekton votën e qytetarëve dhe mbështetjen që ka marrë dhe është e palëkundur në qëndrimin që në asnjë variant nuk do të qeverisë me PDK-në.

Në fund kumtesa thotë se degët e mbështesin kryetarin dhe Kryesinë e LDK-së të analizojë situatën dhe të marrë vendimet e nevojshme në interes të LDK-së dhe në përputhje me parimet e LDK-së si parti proevropiane, e qendrës së djathtë dhe anëtare e Partive Popullore Evropiane.