Arbëri

Policia nuk ia aprovoi dorëheqjen, rrezikohet kandidatura e Qalajt për deputet

Kandidatura e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, për deputet në listën e PDK-së, mund të konsiderohet e paligjshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kjo për shkak së “dorëheqja e parevokueshme e Qalajt”, së paku deri në orën 15:00 e 18:00 të ditës së premte, nuk është aprovuar nga Drejtoria e Policisë së Kosovës.

Nëse kjo kërkesë nuk aprovohet deri të shtunën, kur është afati i fundit i partive për dorëzimin e listave për kandidatë për deputetë, atëherë Qalaj, sipas Ligjit për Zgjedhje, nuk i plotëson kriteret ligjore për kandidim.

Nënparagrafi i tretë i nenit 29 të Ligjit për Zgjedhje si kategori që nuk u lejohet të jenë pjesë e listës zgjedhore paraqet edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“...Cilido person, emri i të cilit paraqitet në listën e votuesve është i aftë për certifikim si kandidat përveç nëse ai apo ajo është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; b) pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës; c) pjesëtar i Policisë së Kosovës”, thuhet në këtë nen të Ligjit për Zgjedhjet.

Qalaj, që ka aderuar të enjten në PDK, pa aprovim të dorëheqjes nga institucioni ku ka punuar rreth 20 vjet, konsiderohet ende pjesëtar policor i Kosovës.

Në Policinë e Kosovës kanë konfirmuar se dorëheqja e Qalajt ende nuk është aprovuar.

“I apostrofuari nga ana juaj ka dhënë dorëheqjen nga Policia e Kosovës, e njëjta është në procedurë të shqyrtimit dhe aprovimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni.

KOHA ka provuar ta kontaktojë Qalajn, por ai ka qenë i paqasshëm.

Siç ka mësuar KOHA, Policia e Kosovës pretekst për mosaprovimin e kësaj dorëheqjeje po e paraqet pretendimin së Qalaj nuk e ka ofruar dorëheqjen ashtu siç është e përcaktuar me ligj.

Në Udhëzimin Administrativ të Policisë së Kosovës për Ndërprerjen e Marrëdhënies së Punës, i nënshkruar nga vetë Qalaj sa ishte drejtor, është e përcaktuar procedura për largimin vullnetar nga puna e zyrtarëve policorë.

Kjo procedurë është e përcaktuar në pikën 1 të nenit 83 të Udhëzimit, ku, ndër të tjera, parashihet që dorëheqja të ofrohet 30 ditë para largimit.

“Punonjësi i Policisë në çdo kohë mund të japë dorëheqjen nga puna pas njoftimit paraprak për dorëheqje, të cilën punonjësi, përmes mbikëqyrësit të tij, duhet t’ia dorëzojë Drejtorisë së Personelit. Afati për njoftimin apo paralajmërimin e dorëheqjes është 30 ditë”, thuhet në Udhëzimin Administrativ të nënshkruar nga Qalaj.

Ish- drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, ishte shkarkuar rreth 3 muaj më herët nga kryeministri Hoti. Ai është konsideruar si njeri i afërt me PDK-në qe një kohë të gjatë, por anëtarësimi i tij zyrtar është bërë të enjten. Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj, ka thënë së Qalaj do të jetë pjesë e listës për deputetë.

Neni 49 i Ligjit për Policinë ua ndalon zyrtarëve policorë pjesëmarrjen në politikë.

”Personeli policor nuk do të pranojë një pozitë apo obligim, dhe nuk do të jetë pjesëmarrës në çfarëdo funksioni apo aktiviteti, i cili krijon konflikt të interesave me detyrat zyrtare të policisë. Pozitat dhe aktivitetet që formojnë konflikt të interesave përfshijnë, por nuk kufizohen me: emërimi apo zgjedhja në detyrë publike apo pozitë tjetër qeveritare; pjesëmarrja në fushata elektorale për zgjedhje në detyrë publike;”, thuhet aty.

Me tutje në paragrafët vijues specifikisht është e ndaluar pjesëmarrja në parti politike.

“Pjesëmarrja aktive në cilëndo parti politike, ndjekja e udhëzimeve nga cilado parti politike në kryerjen e detyrave policore; paraqitja me uniformë policore në çfarëdo tubimi politik, përveç kur është në detyrë zyrtare policore (anëtarësimi i thjeshtë në një parti politike nuk është konflikt i interesave)”, thuhet në ligjin i cili rregullon punën e Policisë së Kosovës.