Arbëri

Gastronomët kërkojnë të punojnë deri në orën 23:00

Descriptive Text

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kundërshtuar masat e reja të Qeverisë së Kosovës për COVID-19.

Ata kanë konsideruar se masat e reja janë në kundërshtim me kërkesat e tyre, ndërsa nuk janë pajtuar me orën e lejuar të punës për gastronominë që për zonat e kuqe është deri në 21:00.

“Ky orar për gastronominë është i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm. Gjendja jonë është më tepër se shqetësuese dhe për ne këto rrethana do të duhej të lejoheshin të funksionojmë deri në ora 23:00 në tërë vendin”, thonë ata.

Shoqata thotë se këto masa janë dizajnuar për qëllime politike, të ideuara për fushatat parazgjedhore.

“Këto masa më shumë janë të dizajnuara për qëllime politike, sesa për shëndetin publik, e aq më pak për atë ekonomik. Tashmë është ideuar edhe realizimi i fushatave parazgjedhore nga ky vendim, nga i cili, lejohen deri në 30 persona në hapësira të mbyllura, të cilat ironikisht janë sallat e dasmave (që ndalohen të funksionojnë për qëllime afariste), ndërsa deri në 50 persona në sheshe publike, parqe, etj”, thuhet në reagimin e Shoqatës.