Arbëri

Autoritetet e konsiderojnë të qetë situatën me COVID në Kosovë

Të qetë e kanë konsideruar situatën me COVID-19 ditëve të fundit në Kosovë, autoritetet shëndetësore në vend.

Në një konferencë për media, teksa ka prezantuar masat e reja anti-COVID, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se “me situatën aktuale Kosova rangohet me numrin më të vogël të vendeve për numrin e të infektuarve, por edhe të vdekjeve”.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, ka thënë se situata është e qetë ditëve të fundit, me rritje të rasteve të të shëruarve e rënie të rasteve të reja pozitive.

Teksa ka kërkuar nga partitë politike të zbatojnë masat, në kohë fushate, Zemaj ka paralajmëruar se nëse do të ketë keqësim të situatës, do të kthehen masat rigoroze.

Zemaj ka njoftuar se MSH ka formuar grupin punues që do të bëjë hartimin e rregullores përmes së cilës do t’i siguroj mbështetje financiare për familjarët e profesionistëve shëndetësorë të cilët kanë humbur jetën gjatë shërbimit në luftën kundër COVID-19.

Ai ka njoftuar edhe për gjendjen e qytetarëve që pësuan djegie trupore pas aksidentit në Ferizaj. Zemaj tha se katër nga të lënduarit po vazhdojnë trajtimin në Turqi dhe gjenda e tyre është stabile, dy prej të cilëve në intubacion, ndërsa dy të tjerët që po trajtohen në Austri po ashtu janë në gjendje stabile.