Arbëri

Hoti nga Reçaku: Drejtësia nganjëherë vonon, por do të vendoset

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se viktimat e masakrës së Reçakut nuk do të prehen të qetë asnjëherë, derisa kryerësit e masakrës të marrin dënimin e merituar. Sipas tij, drejtësia ndonjëherë vonon, por do të vendoset.

“Sot në këtë ditë të veçantë, bëmë nderimet te të rënët në masakrën e Reçakut, në një vend ku ndodhi një masakër e tmerrshme. Në Kosovë janë kryer shumë krime makabre, por ky vend është më i veçantë. Kjo ngjarje sensibilizoi botën për gjendjen, terrorin e vrasjet që po ndodhnin në Kosovë me vite të tëra”, ka thënë ai nga Reçaku.

“Asnjëherë nuk do të prehen të qetë këta trupa deri sa kryerësit të marrin dënimin e merituar. Drejtësia nganjëherë vonon, por do të vendoset”, ka përfunduar ai.

Sot janë mbushur 22 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen masakrën në Reçak. Aty u masakruan 44 shqiptarë të paarmatosur.

Lidhur me këtë përvjetor, kryeministri i Shqipërisë ,Edi Rama, ka deklaruar se Reçaku është një dëshmi e paharrueshme e pafajësisë së Luftës Çlirimtare të Kosovës.

“Reçaku një dëshmi e paharrueshme e pafajësisë së Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe një amanet i pashlyeshëm jo vetëm për Kosovën e lirë demokratike, po edhe për ndërgjegjen e botës së qytetëruar”, ka shkruar Rama.