Arbëri

Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuza për parregullsi në zgjedhjet e 11 qershorit

Kryeprokurori i Shtetit, me rastin e përfundimit të procesit zgjedhor të 11 qershorit 2017, falënderon prokurorët e angazhuar dhe stafin mbështetës për, siç thotë, zbatimin me sukses të planit të veprimit të sistemit prokurorial për punën e palodhshme për parandalimin dhe hetimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Prokurori i Shtetit gjithashtu falënderon Policinë e Kosovës për koordinimin dhe bashkëpunimin e ngushtë për realizimin e planit të veprimit dhe memorandumit të bashkëpunimit për parandalimin e shkeljeve ligjore, duke përfshirë hetimin dhe ndjekjen e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Prokurori i Shtetit falënderon të gjitha institucionet, shoqërinë civile, mediat, OJQ-të dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë ndihmuar Prokurorin e Shtetit në realizimin e qëllimit të tij për “Mbrojtjen e votës”.

Prokurori i Shtetit në një rekapitullim të punëve të bëra në ditën e zgjedhjeve, njofton opinionin publik që duke u bazuar në kompetencat ligjore ka vepruar në të gjitha rastet e paraqitura si të dyshuara për pengimin e të drejtave të votimit dhe ato raste i ka trajtuar me prioritet.

“Me qëllim të marrjes së masave ligjore për të gjithë ata që në ditën e zgjedhjeve kanë vepruar kundër të drejtës së votimit, Prokurori i Shtetit duke u bazuar në procedurat ligjore menjëherë ka vepruar dhe si rezultat ka ngritur aktakuza ku dhe ka pasur një vendim gjyqësor”, thuhet në komunikatën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Për fund, Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik që do të vazhdojë me procedurat hetimore për të gjitha rastet e tjera që janë në procedurë penale dhe të cilat do të trajtohen me prioritet.