Arbëri

Kosova prezanton para zviceranëve mundësitë për investime

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Zvicër dhe Odën Ekonomike të Zvicrës për Evropën Qendrore organizuan në Cyrih të Zvicrës, Forumin për Investime dhe Tregti Zvicër - Kosovë.

Hapja e Forumit u bë nga Ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca, ndërsa Drejtori i përgjithshëm i KIESA-s, Besian Mustafa, ka prezantuar para pjesëmarrësve dhe bizneseve zvicerane mundësitë për investime dhe ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

Ndërkohë edhe përfaqësues nga Dogana, Administrata Tatimore, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Agjencia e Privatizimit të Kosovës informuan të pranishmit lidhur me shërbimet që këto institucione ofrojnë në mbështetje të investimeve dhe të tregtisë.

Kompanitë zvicerane gjithashtu patën mundësinë që të dëgjojnë storie të suksesit nga vet bizneset të cilat tashmë janë duke vepruar në Kosovë e që ishin pjesë e këtij forumi.

Në forum morën pjesë 10 kompani nga Kosova si dhe rreth 30 kompani zvicerane në mesin e tyre edhe kompani nga diaspora të sektorëve të ndryshëm.

Gjatë forumit u zhvilluan takime B2G në mes bizneseve nga Zvicra dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës.

Në këtë forum, KIESA dhe Oda Ekonomike e Zvicrës për Evropën Qendrore nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.