Arbëri

Brenda një jave, tri sulme ndaj stafit mjekësor – kërkohet reagim nga institucionet

Descriptive Text

Tre punëtorë shëndetësorë të Klinikës Infektive janë sulmuar fizikisht brenda një jave nga familjarë të pacientëve që ishin duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Më 8 janar një anesteziolog dhe një infermiere janë sulmuar nga familjarë të pacientit që ishin duke u trajtuar në Infektive, derisa sulm i njëjtë është bërë edhe mbrëmjen e së hënës, ku është sulmuar një infermiere tjetër në po këtë klinikë.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se një femër, e cila ishte duke u kujdesur për prindin e saj, në shenjë pakënaqësie, e ka sulmuar fizikisht infermieren. Derisa e dyshuara pas intervistimit është lëshuar në procedurë të rregullt.

“Është raportuar se e dyshuara, femër kosovare, e cila ishte nën përkujdesje të prindit të saj, në shenjë pakënaqësie për përkujdesje, e njëjta e ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare – infermiere derisa ishte në kryerje të detyrës. E dyshuara është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Por Policia nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me hetimet dhe motivet e këtyre sulmeve që janë bërë ditë më parë.

Anesteziologu Lulzim Emini thotë se këto sulme zbehin motivin e tyre për punë, për shkak të angazhimit që kanë në këta muaj përballjeje me pandeminë, derisa ai ka kërkuar që organet kompetente të zgjidhin sa më shpejt këto raste.

“Institucionet përkatëse që merren me procedimin e këtyre rasteve duhet të kenë vëmendje maksimale dhe të japin informata kthyese te ne, edhe të japin informata kthyese për atë se çfarë është bërë gjatë tërë kohës”, ka thënë Emini.

Edhe Oda e Mjekëve të Kosovës ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të krijojnë më shumë siguri për stafin mjekësor në vendet e tyre të punës.

“Rastet e fundit janë vazhdimësi e atij trendi të dhunës si asaj fizike dhe verbale, si dhe vazhdimësi e trendit që institucionet përveç një deklarate që e bëjnë, asnjë gjë tjetër nuk bëjnë”, ka thënë Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.
Ndaj incidenteve ka reaguar edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës.

“Problem tek ne qëndron se nuk kemi mekanizma të qartë të institucioneve që i rregullojnë ankesat e pacientëve dhe kështu pacientët e kanë humbur besimin që përmes ankesës mund t’i zgjidhin problemet dhe po i marrin në duart e veta t’i zgjidhin problemet me stafin shëndetësor”, ka thënë Besim Kodra, menaxher i programeve në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2020 janë bërë 88 sulme ndaj personave zyrtarë, përfshirë të gjitha profesionet, e në vitin 2019 janë regjistruar 108 sulme ndaj personave zyrtarë, 35 prej të cilëve janë sulmuar në vendin e tyre të punës.