Arbëri

Dështon profilizimi i universiteteve

Foto: Koha

Universitetet publike do të mbesin të paprofilizuara të paktën edhe për një kohë. Profilizimi i tyre ishte paraparë në programin e Qeverisë Hoti, por realizimi i tij ka dështuar.

Qeveria në detyrë, në qershor të vitit 2020, e shihte të domosdoshëm profilizimin me arsyetimin se universitetet e reja nuk kanë kapacitete për misionet e tyre, u mungon kuadri dhe se drejtimet i kanë të njëjta me të Universitetit të Prishtinës.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, është arsyetuar se që prej marrjes së detyrës janë ballafaquar me sfida të ndryshme për shkak të pandemisë dhe kryesisht janë marrë me përgatitjen e organizimit të mësimit.

“Profilizimi i universiteteve publike dhe organizimi i rrjetit të shkollave kërkojnë që të lëvizet me kujdes, të bëhen studime të hollësishme, të analizohen praktikat më të mira të vendeve të regjionit e BE-së, të përgatitet baza ligjore dhe ky proces të jetë pjesë e politikave strategjike, siç është PSAK 2022-2026”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ai ka bërë të ditur se janë afër hartimit të udhëzimit për Shkencat e Aplikuara dhe programet e saj e kjo, siç është shprehur, do të ndihmojë edhe universitetet e tjera të profilizohen.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, profilizimi i universiteteve pos që do të ndikonte pozitivisht në përgatitjen e kuadrove të duhura për tregun e punës, do të kishte efekt pozitiv edhe në ngritjen e cilësisë. Por, thotë se qeveritë nuk kanë vullnet ta realizojnë.

“Ndër faktorët e shumtë që dështon profilizimi i universiteteve pa dyshim që është edhe sistemimi i profesorëve partiakë, të cilët në masë të konsiderueshme i kanë vërshuar universitetet publike, andaj edhe partitë politike nuk janë të interesuara që t’i largojnë kuadrot e veta dhe partiakët e tyre e t’i lënë ata të pasistemuar diku në sistemin publik”, ka thënë Osmani.

Në hartimin e planit për profilizim ishte paraparë të përfshiheshin MASH-i, universitetet, ekspertët e arsimit e shoqëria civile.

Në programin qeverisës 2020-2023, ku flitet për profilizimin e universiteteve, thuhet se Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj do të mbështetet me fonde që të inkurajohet në ofrimin e programeve profesionale si i vetmi institucion publik në Kosovë me mision për Shkenca të Aplikuara.

Ndërkaq Universiteti i Mitrovicës do të përkrahet për funksionim të plotë, si universitet me profil të qartë, që u shërben nevojave të Kosovës dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor në fushën e makinerisë prodhuese, xehetarisë e metalurgjisë.

Profilizimi i 7 universiteteve publike është përmendur edhe në kohën e ish-ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi. Atëkohë ishin dhënë dy rekomandime, të mbesin vetëm 2 universitete e të tjerat të shndërrohen në kampuse ose universitetet të profilizohen dhe programet t’i kenë në bazë të kërkesave të tregut të punës. Por, për realizimin e këtyre rekomandimeve nuk ishte hedhur asnjë hap.

Aktualisht në Kosovë janë 7 universitete publike: në Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Prizren e në Gjilan.

Gjashtë të fundit janë themeluar pas luftës.