Arbëri

Tanin në KS të OKB-së për Kosovën: Dialogu nuk ka alternativë

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë (PSSP), Zahir Tanin, theksoi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit sot se vazhdimi i dialogut në nivelin më të lartë në mes të Beogradit dhe Prishtinës është “hap thelbësor” në përpjekjet e përtërira për të ndërtuar besimin dhe mirëbesimin.

Në raportimin e tij të rregullt për Kosovën, Tanin përshëndeti diskutimet rreth implementimit të Asociacionit/Bashkësisë të komunave me shumicë serbe të ardhshme, pikë kyçe e marrëveshjes së prillit 2013.

“Dialogu nuk ka alternativë,” theksoi PSSP Tanin.

Duke theksuar rëndësinë e lartë që politikat elektorale të mos pengojnë proceset vitale dhe progresin, PSSP Tanin nënvizoi se normalizimi i raporteve, pajtimi dhe drejtësia tejkalojnë objektivat afatshkurta politike – dhe duhet t’ju shërbejnë qëllimit të “përmirësimit të jetës së njerëzve”.

Duke theksuar se “lidershipi i guximshëm dhe veprimet pozitive janë të rëndësishme për promovimin e ndryshimit të qasjeve”, Tanin shprehu mirënjohje për hapat e ndërmarrë nga disa liderë dhe inkurajoi përpjekje më të qëndrueshme për të tejkaluar të kaluarën, dhe për t’u fokusuar në të ardhmen.

I vetëdijshëm se puna në përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike në Kosovë duhet të vazhdojë, Tanin nënvizoi se “adresimi i papunësisë, progresi në sundimin e ligjit, dhe luftimi i korrupsionit mbeten kyçe për të gjithë njerëzit në Kosovë”.

Duke njohur kërcënimin nga ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi në Kosovë dhe përgjatë rajonit, PSSP Tanin përshëndeti qasjen holistike të autoriteteve të Kosovës, e cila me të drejtë përfshin komponentë arsimorë dhe zhvillimorë.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, përkushtimi drejt një të ardhmeje të përbashkët përbrenda hapësirës së unifikuar të Evropës, zotimi ndaj të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, dhe zgjidhja e kontesteve përmes mjeteve paqësore të dialogut dhe kompromisit janë thelbësore për Kosovën siç janë edhe për tërë rajonin”, nënvizoi PSSP Zahir Tanin.