Arbëri

Pritet padi ndaj UP-së pas ndërprerjes së kontratës për sistemin antiplagjiaturë

Prishtinë, 10 janar - Problemi me plagjiaturën në Universitetin e Prishtinës nuk pritet të zgjidhet as këtë vit. Ndonëse UP-ja në vitin 2019 kishte hapur tender për “Zhvillimin e sistemit antiplagjiaturë”, ku fituese u shpall kompania “Unisoft”, asaj i është shkëputur kontrata.

Kjo ka bërë që kompania, e cila ishte e vetmja që kishte ofertuar dhe ishte shpallur fituese, të nisë procedurën për padi ndaj UP-së meqë konsideron se i plotësoi të gjitha kriteret.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, “Unisofti” ka theksuar se shkëputja e kontratës u bë pas insistimit të komisionit të UP-së se sistemi nuk është i besuar dhe nuk mund të futet në punë.

“Sistemi antiplagjiaturë është krijuar, testuar dhe ka qenë funksional. Ne kemi përmbushur dhe tejkaluar kërkesat të cilat janë paraparë në dosjen e tenderit. Ky sistem ka krijuar kosto shumë të lartë për ne dhe ne kemi nisur procedurat ligjore për ta dërguar lëndën në gjykatë. Ne kemi ofertuar me vlerë rreth 9.650 euro, nuk kemi planifikuar që do të kemi pengesa të cilat janë shfaqur në kohën e ekzekutimit”, thuhet në përgjigje.

Kjo kompani ka bërë të ditur se nuk mori asnjë pagesë nga UP-ja lidhur me sistemin antiplagjiaturë, ndonëse i dërguan faturat për shpenzimet e tyre.

E sipas Rektoratit të UP-së, menaxhmenti i ri e ka marrë detyrën më 1 tetor 2020, por bazuar në raportimin e administratës së UP-së, procedura për furnizimin me softuer për detektimin e plagjiaturës nuk ka arritur të finalizohet konform kritereve dhe afatit të paraparë.

Rektorati ka bërë të ditur se rektori Naser Sahiti ka diskutuar me ministrin e Arsimit dhe rektorët e universiteteve që të ketë një sistem dhe softuer antiplagjiat, i cili do të vihej në zbatim në të gjitha universitetet publike.

“Kjo nismë është përkrahur unanimisht nga ministri dhe rektorët e tjerë. Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar të vazhdojë të punojë për ngritjen e integritetit akademik gjatë punës kërkimore, shkencore dhe artistike. Një ndër masat e parapara me Planin Strategjik të UP-së për periudhën 2020-2022 është edhe aplikimi dhe implementimi i programeve softuerike antiplagjiat”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.

KOHA ka kërkuar detaje nga Ministria e Arsimit se si do të realizohet sistemi antiplagjiat në të gjitha universitetet publike, por nuk ka marrë përgjigje tash e dy ditë.

Që nga viti 2018, Universiteti i Prishtinës ka paralajmëruar se do të ketë sistem antiplagjiaturë, por deri tash nuk është realizuar.

Raporte të ndryshme të shoqërisë civile disa herë kanë evidentuar se plagjiatura në UP është mjaft e përhapur, si te stafi akademik ashtu edhe te studentët.