Arbëri

Gjini për situatën në Gjakovë: Lumenjtë janë fryrë, ka rrezik që të dalin nga shtrati

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, thotë se dëmet do të jenë edhe më të mëdha nëse lumenjtë dalin nga shtrati në këtë komunë si pasojë e reshjeve të mëdha që kanë filluar nga mbrëmë e kanë vazhduar edhe ditën e të premtes.

Problemet kryesore janë me kanalizimet, thotë Gjini, aty ku po ngatërrohen ujërat e shiut me ato fekale. Ai në Express Intervistë shprehet se frika më e madhe është dalja e lumenjve, e që aktualisht janë fryrë shumë, shton ai.

“Për shkak se edhe javën e kaluar kemi pasur të reshura më të mëdha, toka është ngopur me ujë dhe të reshurat e djeshme dhe sot ka shkaktuar probleme. Deri tash problemet kryesore i kemi me kanalizimet aty ujërat e shiut dhe ato fekale ngatërrohen. Nëse të reshurat do vazhdojnë me këtë intensitet ka rrezik që disa nga lumenjtë të dalin nga shtrati. Përmbytje jo të përmasave të jashtëzakonshme kemi në disa fshatra e lagje të qytetit. Për momentin nuk janë dramatike, edhe pse disa dëme janë shkaktuar. Frika është se nëse vazhdojnë të reshurat me këtë ritëm, ka rrezik që lumenjtë të dalin nga shtretërit”, tha ai.

“Të gjithë lumenjtë janë fryrë goxha shumë, edhe Ereniku, Drini, Trakaniqi e të tjerë. Të gjithë janë në nivele goxha kritike. Duhet të shpresohet se nuk do të ketë të reshura të tilla”.

Kreu i Gjakovës tha se edhe në fshatra qëndrojnë këto probleme dhe se po bëhet përpjekje të sanohen dëmet.

“Edhe në disa fshatra ka probleme me kanalizime. Në Rugovë ka probleme, tek lumi Krena kemi probleme sepse edhe aty kemi përzierje të ujërave të shiut me ata fekale. Këto dëme komuna i sanon dhe do t’i ndihmojë qytetarëve. Kemi pasë deri 25 thirrje deri para një ore”, tha ai.

“Nëse do dalin lumenjtë nga shtrati pritet të ketë dëme më të mëdha, do mbesim në kontakte të vazhdueshme me qeverinë, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave”.

Gjini ka thënë se nëse lumenjtë dalin nga shtrati do të ketë problem, sepse do të nevojitet evakuimi i njerëzve, ndërsa shton se nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave kanë kërkuar thasë me rërë për ta menaxhuar situatën.

“Kur lumenjtë dalin nga shtrati edhe shtetet më të fuqishme kanë problem, evakuohen njerëzit sepse në ato rrethana nuk mund të ndalet uji. Prej AME-së që të kemi thasë me rërë, aty ku uji është i menaxhueshëm mund të menaxhohet, por nëse ka dalje të mëdha duhet të kemi nivele të tjera të emergjencës”, tha ai.

E Gjini shton se sanimi i dëmeve është i vështirë edhe sepse komuna nuk ka fonde të veçanta për raste emergjente dhe se në këto raste duhet të kërkohet ndihma nga Qeveria.