Arbëri

Baftiu: Nesër mblidhet kolegjiumi për t'u konsultuar nëse duhet trajtuar ndonjë pacient jashtë vendit

Drejtori i Klinikës së Anasteziologjisë dhe Mjekësisë Intensive Qendrore, Nehat Baftiu, ka treguar për gjendjen e të lënduarve nga shpërthimi i bombolës në Ferizaj e që po trajtohen në këtë klinikë.

Ai në Interaktiv të KTV-së, ka treguar se ishte shumë ditë e vështirë. Ndërsa ka treguar se gjashtë pacientë që po trajtohen kanë lëndime pak më të rënda, e njëri prej tyre deri 50 për qind të sipërfaqës së djegur, përfshirë pjesës së epërme të rrugëve të frymëmarrjes.

“Në orët e para të pasdites janë lajmëruar 15 pacientë të ardhur nga Spitali i Ferizajt, prej tyre 13 jemi detyruar t’i fusim në sallë. Falënderojë të gjithë anasteziologët, reanimatorët dhe teknikët, që pas një shkrimi në viber të gjithë janë përgjigjur dhe përnjëherë i kemi hapur pesë salla të operacionet. Brenda dy ore kemi përpunuar 13 raste të rënda të djegies. Për momentin gjendjen pak më të rëndë me djegie deri 30 për qind të sipërfaqes trupore e kanë gjashtë pacientë. Pesë janë në Klinikën Intensive Qendrore, e një në mjekim intensiv të kardiokirurgjisë pasi nuk kishte hapësirë. Tetë tjerë janë vendosur te Kirurgjia Plastike. Përpos njërit, që është me 50 për qind të sipërfaqes trupore të djegur, dhe djegies së pjesës së epërme të rrugëve të frymëmarrjes, tjerët janë stabil. Por edhe ai është stabil, nuk presim të ketë komplikime në ditën e parë”, ka thënë Baftiu.

Ai ka thënë se gjithë pacientët që janë në mjekim intensiv, po trajtohen nga anasteziologët dhe reanimatorët më të mirët që i ka Kosova.

Ai ka thënë se sa i përket dijes, aparaturave e gjërave tjera, pacientët munden të trajtohen, por ka shtuar se Kosova nuk ka qendër për persona që pësojnë djegie.

Në pyetjen se a duhet të dërgohet ndonjëri për trajtim jashtë vendit, pasi është përmendur se mund të dërgohen në Turqi pacientët për trajtim, ai ka thënë se do të mblidhet kologjiumi për të vendosur nëse duhet rekomanduar që ndonjëri të trajtohet jashtë vendit. 

“Për të vendosur nëse duhet dërguar jashtë vendit, nuk vendosim vetëm ne. Duhet të bëjmë një kolegjium profesional nesër në mëngjes me kirurgët plastikë, e të shohim bashkë. E të vendosim për raste, si shembull ai me 50 për qind djegie. Nëse mendojmë se duhet të trajtohet jashtë vendit, atëherë i mbushim letrat dhe i dërgojmë Komisionit pranë MSH-së. E ai Komision merr vendim”, ka thënë Baftiu.


Baftiu: Numri i pacientëve me COVID, dita e ditës po bie

Drejtori i Klinikës së Anasteziologjisë dhe Mjekësisë Intensive Qendrore, Nehat Baftiu, ka thënë se anesteziologët dhe reanimatorët, ka folur edhe për situatën me COVID-19 në klinikën ku është ai.

“Prej marsit të vitit të kaluar, jemi marrë intensivisht me trajtim të pacientëve me COVID. Kemi shfrytëzuar intenzivën tonë në fillim, e kemi hapur pastaj edhe Mjekësinë Sportive. Fluksi i pacientëve po bie dita e ditës, lus Zotin të vazhdojë ky trend i rënies. Ishte sfidë e madhe për ne. Jemi ballafaquar për herë të parë me një sëmundje që nuk e kemi njohur mirë. Çdo gjë që e kemi bërë, nuk kemi qenë të sigurt nëse i shërben mirë pacientit, por jemi munduar të veprojmë bazuar aty që kemi lexuar e duke u mbështetur në rekomandime të OBSH-së.

Sa i përket anesteziologëve ai ka folur për mungesën e tyre në Kosovë.

“E kemi thënë edhe më herët se kemi numër shumë të vogël. Disa spitale, si ai i Ferizajt, Vushtrrisë, Mitrovicës, i kanë vetëm nga dy e tre, nuk kanë mundësi për kujdestari 24-orëshe. Na kemi qenë pak më mirë, por kohët e fundit nuk ka pasur muaj që nuk e kanë lëshuar punën një apo dy. Prej 1 janari e kanë lëshuar punën edhe dy anesteziologë, për kushte më të mira të punës që kanë pranuar diku tjetër. Na ishte premtuar me Ligjin e Punës se do të rriten pagat për profesionistët shëndetësorë. Por nuk ndodhi. Mbetën pagat ekzistuese”, ka thënë Baftiu.