Arbëri

Bulliqi: Komunën e Podujevës e kemi gjetur me shumë probleme financiare

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka deklaruar se qeverisja e kaluar ka lënë shumë suficit financiar dhe dëme ekonomike. Bulliqi ka deklaruar në Express të KTV-së se që nga 10 dhjetori kur zotime ishin të mbyllura, s’kishte mundësi të bëhej ndonjë investime momental me të hyrat e buxhetit.

“Kemi gjetur një buxhet prej katër milionë eurove suficit buxhetor dhe data 10 dhjetor ishin data kur zotimet ishin tashmë të mbyllura dhe nuk kishim mundësi të bënim ndonjë investim momental. Me menaxherët e projekteve kemi arritur ta zbresim suficitin në rreth 1.9 milionë euro ndërsa 2 milionët e tjerë nuk patëm mundësi t’i investojmë”, ka deklaruar Bulliqi.

Ai tutje ka thënë se janë disa faktorë që e kanë shkaktuar këtë kaos financiar në Komunën e Podujevës.

“Disa nga faktorët e kësaj gjendjeje të rëndë janë planifikimi i dobët nga qeverisja e kaluar, mos fillimi i duhur i procedurave të prokurimit dhe vonesat nga operatorët e ndryshëm”, ka deklaruar tutje ai.

Bulliqi ka potencuar se kanë gjetur projekte që ishin në fazën e prokurimit dhe kjo ndikuar që disa projekte të planifikuar për vitin 2020, të dështojnë.

Kemi gjetur projekte që ende ishin në fazën e prokurimit. E gjetëm një projekt për furnizimin e shkollave me laboratorë dhe ende asnjë procedurë nuk ishte mbyllur. Kemi nevoja të shumta që shkollat t’i pajisim me laboratorë”, ka theksuar tutje.

“Jemi futur në një vit me një numër të borxheve që nuk do të jenë të lehta. Një numër i kontratave që janë lidhur viteve të fundit me kompani të ndryshme, kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare. Nga ardhja jonë kemi marrë një donacion për pompa të dezinfektimit që i kemi shpërndarë në shkolla dhe spitale. Ne nuk do kërkojmë shpenzime shtesë në projektet që janë nisur, do i reduktojmë sa më tepër në mënyrë që të kursejmë”.