Arbëri

Sot pritet seancë e jashtëzakonshme për Ushtrinë

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për të përkrahur lejimin e dërgimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit. Kjo seancë pritet të mbahet të martën, sot, me fillim prej orës 18:00.

Ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Qeveria ka miratuar vendimin që të dërgojë një kontingjent të FSK-së në misione jashtë vendit me Gardën Ndërkombëtare të Iowas, në bazë të një ftese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sot, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për KOHËN se kanë pajtim me të gjitha grupet parlamentare për këtë çështje.

Për lajmin ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. Ai ka thënë se viti “po nis me një lajm fantastik”.

“Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e mbështetë kërkesën e Qeverisë që Parlamenti të mbajë, sot, seancë të jashtëzakonshme, për lejimin e angazhimit të Ushtrisë së Kosovës në Misione Paqeruajtëse në kuadër të ushtrive më të fuqishme të botës. Jemi të bindur se secili ushtar i Kosovës do ta nderojë atdheun dhe flamurin tonë, dhe Kosovës do t'i kthehet faqebardhë!” ka shkruar ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se partia e tij do të votojë pro dërgimit të ekipeve të FSK-së në misione të përbashkëta paqeruajtëse me SHBA-në.

“Kjo është njëra ndër të arriturat e mëdha të FSK-së në rrugëtimin e saj drejt një ushtrie të standardeve të NATO-s, që për Republikën e Kosovës është synim i përhershëm”, ka shkruar ai në Facebook.

Në një përgjigje për KOHËN, zyra e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Kryesia do të mblidhet në orën 15:00.

Në këtë mbledhje do të shqyrtohet kërkesa e Qeverisë për angazhimin e FSK-së në misione paqeruajtëse.


12:40 - Komunikata zyrtare e Qeverisë

Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, sot prej orës 18:00 do të mbahet një Seancë e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me një pikë të vetme të rendit të ditës.

 Marrja e vendimit për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

 Në bazë të ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Republikës së Kosovës  me 31 dhjetor 2021, ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ky vendim i është dërguar Kuvendit të Republikës së Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane.

 Vendimi mbështetet në memorandumin që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka nënshkruar me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit bashkë me Gardën Kombëtare të Ajovës.