Arbëri

Kosova i shtohet listës së “dekriminalizimit” të politikës shqiptare

Descriptive Text

Me ndryshimet në këtë Ligj, do t’u ndalohet kandidimi dhe zgjedhja deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo edhe në pushtetin vendor atyre personave që janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, apo kanë një vendim dëbimi edhe në Republikën e Kosovës

Kosova bashkë me 7 vende të tjera - Zvicra, Norvegjia, Islanda, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina - do t’i shtohen listës së vendeve jashtë territorit të Republikës Shqipërisë në Ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, i njohur si ‘ligji i dekriminalizimit’.

Pas rasteve të shkarkimit dhe vënies para drejtësisë të disa të zgjedhurve vendorë apo deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, një tjetër ndryshim kërkohet të bëhet në ligjin për ndalimin e atyre që kandidojnë për deputetë apo pushtetin vendor dhe që kanë një vendim gjykate të formës përfundimtare jashtë Shqipërisë. Listës i shtohen edhe 8 vende të tjera jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Kosovën, ku ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh.

Propozimi pritet të diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë, me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Partitë politike pritet që ta nisin hartimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, e Kuvendi i Shqipërisë pritet të diskutojë mbi rregullat e ndalimit të kandidimit dhe zgjedhjes së një funksionari të lartë publik.

Sipas një projektligji të depozituar në Kuvend më 23.12. 2020, do t’u ndalohet kandidimi dhe zgjedhja deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo edhe në pushtetin vendor atyre personave që janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, jo vetëm në vendet e Bashkimit Evropian, SHBA, Kanada, Australi, sikur ka qenë më parë. Lista tashmë propozohet të shtohet me 8 vende të tjera. Në nenin 2 të ligjit të miratuar në vitin 2015 “për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” propozohet të shtohen edhe vende të tilla si: Kosova, Zvicra, Norvegjia, Islanda, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina. Të gjithë ata shtetas që janë dënuar me një vendim përfundimtar nga një autoritet gjyqësor i këtyre vendeve, por edhe ata që kanë një vendim dëbimi nga territori i këtyre shteteve nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut.

Propozimi është bërë në Kuvend nga deputeti i opozitës së re, Vasil Sterjovski, dhe pritet të diskutohet me nisjen e sesionit të ri parlamentar më 18 janar. Deputeti e justifikon këtë propozim me argumentin se në këto vende ka një komunitet të konsiderueshëm emigracioni shqiptar. Po ashtu, ky ndryshim merr shkas edhe nga rastet e disa të zgjedhurve vendorë që shkuan para gjykatave dhe lanë mandatet për shkak të dënimeve të mëparshme.

Nëse projektligji i paraqitur Kuvendit miratohet pa ndryshime, atëherë drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri nuk mund të kandidojë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, që pritet të mbahen në Shqipëri. Boiken Abazi, ish-sekretar për marrëdhënie me jashtë i Vetëvendosjes, aktualisht drejtues i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, është i njohur për qëndrimin kritik ndaj qeverisë “Rama” dhe për pjesëmarrjen e tij në protestat që janë organizuar kundër kësaj qeverie në Tiranë.

Boiken Abazi, anëtar i Kryesisë së VV-së dhe ish-sekretar për marrëdhënie me jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, shtetas i Shqipërisë, është deportuar (dëbuar) nga Kosova në Shqipëri më 16 mars të vitit 2016 dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë në periudhën kohore prej dy vjetësh. Në komunikatën e Vetëvendosjes pas dëbimit të Boiken Abazit, u adresuan akuza të rënda ndaj Qeverisë së Kosovës, që drejtohej asokohe nga Isa Mustafa, e cila cilësua nga VV-ja si “antishqiptare e proserbe”, ndërsa anëtarët e kabinetit qeveritar si “neomillosheviqë” dhe “mbështetës të fashizmit”.

LVV-ja në zgjedhjet shqiptare

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka shprehur hapur garimin e saj për zgjedhjet e 25 prillit. E krijuar si degë e Vetëvendosjes Kosovë, dega në Shqipëri ka bërë publik në fillim të këtij viti angazhimin si subjekt politik, duke bërë thirrje se do ta mbështesë angazhimin e qytetarëve në 12 zona zgjedhore.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri do të angazhohet në mbështetje të iniciativave qytetare që çojnë përpara kandidatë nga zgjedhësit në cilëndo prej 12 zonave zgjedhore të vendit. Kriza në Shqipëri është thelluar dhe është e shumëfishtë, prej sistemit shëndetësor e arsimor, tek ekonomia dhe drejtësia. Një prirje e theksuar autoritarizmi ka instaluar në vend elementë të shtetit policor. Pabarazia ekstreme është rritur, ndërsa shteti i së drejtës nuk u ngrit kurrë këta 30 vjet. Ata që i vuajnë më shumë pasojat e këtij sistemi brutal janë shtresa e mesme, të varfrit dhe njerëzit që jetojnë në periferi. Pabarazia në Shqipëri është edhe vertikale shtresore, edhe horizontale gjeografike. Sa më larg qendrës dhe sa më poshtë në mundësi ekonomike, aq më brutal bëhet ky sistem ndaj qytetarëve”.

Ata kanë bërë thirrje që qytetarët të firmosin për krijimin si subjekt politik, pasi duhen 3 mijë nënshkrime. “Në secilën prej 12 zonave zgjedhore të Shqipërisë, qytetarët kanë të drejtën të bëhen bashkë për të propozuar kandidatë nga zgjedhësit. Nëntë qytetarë të një zone zgjedhore kanë të drejtën të çojnë përpara në KQZ kandidaturën për një deputet. Zyrtarizimi i kësaj kandidature bëhet përmes grumbullimit të 3.000 nënshkrimeve, duke nisur nga mesi i muajit janar 2021. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri do të mbështesë të gjithë ata qytetarë, në cilëndo prej 12 zonave elektorale të Shqipërisë, që synojnë ta çojnë përpara këtë alternativë duke krijuar një lëvizje më të gjerë shoqërore. Kandidatët mund të jenë anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, por edhe qytetarë që nuk janë anëtarë e bashkohen në ngritjen e një lëvizjeje e cila e çan sistemin bipolar të këtyre 30 vjetëve dhe ndërthur çështjen kombëtare me luftën kundër pabarazive ekstreme”, thuhet në postimin e tyre në rrjetet sociale.

Në Shqipëri, në fund të vitit 2015, parlamenti i këtij vendi, nën presionin e fortë të SHBA-së dhe BE-së, miratoi Ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, i njohur si ‘ligji i dekriminalizimit’. Kjo nismë erdhi si nevojë e domosdoshme pas zgjedhjes deputetë dhe drejtues në nivel lokal të disa eksponentëve me të shkuar kriminale. Ligji i dekriminalizimit u mendua se do të ishte i përkohshëm kur u miratua dhe se do t’i prekte vetëm personat që përbënin problem në atë kohë në vendimmarrjen kryesore politike në Shqipëri, por sot, 5 vjet pas miratimit, ai vazhdon të jetë i nevojshëm, një dëshmi që sipas kritikëve lidhet me mungesën e vullnetit politik. Deri tani janë larguar si subjekt i ligjit të dekriminalizimit 4 deputetë, 2 të LSI-së, një i PD-së dhe një i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, 3 kanë dhënë dorëheqje si pasojë e presionit të lart publik, 2 të PS-së dhe një i Partisë Kristian-Demokrate, dhe 57 kandidatë për deputetë u larguan me vendim të KQZ-së në zgjedhjet e 2017-s. Në nivel lokal u larguan 1 kryetar bashkie i PS-së në Kavajë dhe një po i kësaj partie pak kohë më parë në Shkodër dha dorëheqje, ndërsa dy janë në verifikim nga strukturat përgjegjëse. Subjekt i ligjit ishin dhjetëra këshilltarë dhe kandidatë për këshilltarë, mbi 80 zyrtarë bashkiakë si dhe mbi 150 zyrtarë dhe drejtues në institucione të tjera, pjesë e ligjit.