Arbëri

Ndërrimi i moteve me policët kujdestarë

Descriptive Text

Pa festë e si natë e zakonshme e punës ka qenë nata e vitit të ri në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë. Punë 24-orëshe bëhet në qendrën ku mblidhen e shpërndahen informacionet e incidenteve. Një numër i shtuar i policëve ka qenë edhe nëpër rrugë. Zyrtarja policore, Fjolla Morina, e ka shënuar vitin e dytë të ri në patrullë e larg familjes së saj. Puna e policisë në vitin 2020, sipas saj, ka qenë më sfiduese shkaku i sigurimit që masat kundër COVID-19 të respektohen.

Por, puna e patrullave ka qenë më e qetë gjatë ndërrimit të moteve.

“Së pari është nder dhe kënaqësi të jem në shërbim të qytetarëve për natën e Vitit të Ri. Vitin e kaluar ka qenë hera e parë kur unë kam qenë pjesë e Policisë së Kosovës, edhe Vitin e Ri e kam pritur në sheshin kryesor të qytetit ku ka pasur shumë qytetarë, ku jemi kujdesur për sigurinë e tyre, një numër të madh të tyre. Ndërsa sonte është shumë më ndryshe, por prapë jam në shërbim të detyrës dhe të popullit, por sonte jemi me kolegët e mi, jemi duke u kujdesur vetëm për rrugët për shkak se lëvizja e qytetarëve është shumë e vogël”, është shprehur ajo.

Duke qenë natë më e qetë, Morina ka mundur t’i pranojë urimet e familjarëve të saj.

“Kur e kemi pritur 2020-tën ka qenë periudhë më e zënë për t’i kthyer mesazhet edhe urimet të tjerëve familjarëve ose shoqërisë, për shkak se kemi qenë në angazhim me kujdes ndaj qytetarëve. Ndërsa këtë vit e kemi pasur pak më të lehtë për shkak se nuk ka pasur lëvizje të qytetarëve dhe kemi pasur kohë t’i kushtojmë edhe telefonit, edhe pse në orar shumë të shkurtër për shkak se gjatë detyrës tonë nuk është e preferueshme që të qëndrojmë në telefon”, ka shtuar Morina.

Policia e Kosovës ka njoftuar se nata e ndërrimit të moteve sivjet ka pasur më pak incidente sesa vitin e kaluar.

Po ashtu, sipas statistikave të raportit 24-orësh të policisë, janë arrestuar 8 persona për vepra të ndryshme penale, ndër ta një për dhunë në familje dhe një person i shpallur në kërkim. 26 ka qenë numri i aksidenteve me lëndime të lehta. Ndërsa janë shpërndarë 646 gjoba të trafikut dhe 294 për thyerje të masave nga Ligji për COVID-19.