Arbëri

Zenun Çelaj: Vitet në KOHA më të mirat në karrierë

Descriptive Text

Doajeni i gazetarisë, Zenun Çelaj, i ka vënë pikë karrierës aktive.

Çelaj i ka cilësuar 11 vitet në KOHË si më të mirat në karrierën mbi 60-vjeçare.

“Kam qenë shumë i nderuar që u bëra pjesë e Grupit KOHA e që kalova 11 vjet, padyshim më të mirat, më kreativet e më të lumtura në më shumë se 60-vjet në gazetari”, ka thënë ai në një takim përshëndetës të enjten e 31 dhjetorit 2020.

Çelaj, ka qenë kryeredaktor i portalit KOHA.net që nga viti 2009. Në karrierën e bujshme ka qenë gazetar, redaktor e ndihmëskryeredaktor i “Rilindjes” deri në mbylljen e saj më 1990, përderisa një kohë ka qenë edhe anëtar i redaksisë së revistës “Zëri i Rinisë”. Në vitet ’60, në Fakultetin e asokohshëm Filozofik përfundoi studimet për shqip, e më 1968 themeloi gazetën e parë të studentëve të Kosovës, “Bota e Re”. Më 2000 nisi punën si kryeredaktori i parë i gazetës “Zëri”.

Mjeshtri i karikaturës, Jeton Mikullovci, ka përmbledhur karrierën e bujshme të Çelajt me një tjetër vepër të tij, si falënderim nga KOHA për kontributin.

Rrugëtimin e tij jetësor, gazetari veteran së fundmi e ka shpalosur në librin ”Udhëtim në të shkuarën”, botuar nga Botimet KOHA, në fundtetor. Në 318 faqe – dhjetëra sosh edhe me fotografi e legjenda të zhvillimeve historike – Çelaj dokumenton hollësisht etapat e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë.