Arbëri

Rama apel opozitës, reforma - Ylli Polar i rrugës së të bërit shtet

Në një bashkëbisedim të hapur me studentët e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” kryeministri Edi Rama u ndal te reforma në drejtësi, duke e cilësuar si “Ylli Polar për të bërë shtet”.

Kryeministri i vendit vuri në dukje se aktualisht pushtetin në sistemin e drejtësisë e kanë kriminelët ndaj edhe sipas tij, reforma duhet realizuar sa më parë.

“Është shumë e rëndësishme që matura shtetërore nga një formalitet korruptiv është kthyer në një proces ku administrimi është larg përfitimeve politike. Prandaj reforma në drejtësi është reforma e reformave, është ylli polar në rrugën tonë për të bërë shtet. Në fund fare, të gjithë përplasen në gjykatë dhe janë gjykatat që japin mundësi për të venë drejtësi. Ajo që bën një sistem drejtësie solid është që krijon kushte për konkurrencë në të gjitha aspektet, të ketë stabilitet për çështjen e pronës, një marrëdhënie krejt tjetër mes zgjedhjeve dhe zgjedhësit. Në këtë aspekt besoj se nuk ka asgjë më të rëndësishme se çuarja përpara e kësaj reforma dhe s’ka asgjë të justifikueshme për vonesë qoftë edhe një ditë”, tha Rama.

Shefi i qeverisë dha shembullin e disa qindrave rasteve të personave të arrestuar nga policia për vrasje apo përdhunim që sipas tij janë liruar nga gjykatësit dhe më pas janë bërë ripërsëritësh krimesh. Lidhur me investimet, ai tha se nëse do kishte stabilitet në prona dhe vendime të drejta gjykate, Shqipëria do kishte më shumë investitorë sot.

Rama i bëri thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend dhe të votojë ngritjen e institucioneve të Vettingut.

Kryeministri theksoi se është koha që opozita të dëshmojë që nuk është mburojë e gjykatave të pushtuara nga kriminelët dhe të mos bllokojë këtë proçes që sot pret votën e së djathtës për të kaluar në zbatim.

Rama tha se është e drejta e opozitës të protestojë apo bojkotojë Kuvendin, por jo në këtë moment kaq vendimtar për vendin.

Kryeministri bëri dhe një krahasim me skenarin rumun dhe ku ndryshon kjo protestë e PD nga ajo e popullit rumun. “Absurdi është se në Rumani populli doli në shesh se qeveria mori një vendim për të penguar zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Këtu qeveria i përgjigjet dhe udhëheq aspiratën e popullit për reformën në drejtësi. Është njësoj si të dalësh në shesh e të thuash, popull çoju e më merr mua se gjithçka po më gjen. Pjesa tjetër, reforma në drejtësi prek interesa shumë të forta, kërcënojnë këputjen e lidhjeve shumë të forta, lidhje të prodhojnë fitime të mëdha dhe jo të ligjshme. Përfitime të mëdha dhe jo të ligjshme, financiare. Arsye tjetër unë nuk shoh”, tha Rama.

I shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë dhe përfaqësues të universitetit të Elbasanit, Rama e cilësoi reformën në arsim me ndikim në dekadën e ardhshme.

“Reforma në arsim është një reformë e thellë dhe do të kërkojë kohë për të dhënë rezultate në zhvillimin e vendit përveçse edhe në cilësisë. Që në vitin e parë, pra vitin akademik që nisi me kritere të tjera shihet qartë se ka një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë, sepse rruga ndaj konkurrencës nuk kushtëzohet më as nga paraja, miku, partia apo kushuriri. Ky është rezultati i parë shumë domethënës që do të pasohet nga të tjera rezultate që do të kenë ndikim në dekadën e ardhshme”, tha Rama.

Kryeministri tha se reforma në drejtësi (vettingu) kërcënon lidhje shumë të forta të paligjshme ndaj kjo sipas tij është arsyeja pse ka përpjekje për ta penguar. Ai nuk la pa komentuar edhe bojkotin e PD-së të cilën e cilesoi zgjedhje të lirë në demokraci , por që në këtë moment është pengues për procesin, ndaj i bëri thirrje PD-së për tu rikthyer në parlament për të miratuar vettingun.

Për Fatmir Xhafaj, kryetarin e komisionit të reformës në drejtësi, kjo reformë do të ndërtojë shtetin e së drejtës, ku nuk do të ketë më emërime politike por karrierë të të aftëve në sistemin e drejtësisë (magjistratura, provim i shtetit).