Arbëri

Kosova ende nuk ka kapacitete për ta zbuluar virusin e ri

Mungesa e kapaciteteve laboratorike ka shtyrë që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të planifikojë dërgimin e disa mostrave në një nga laboratorët e Evropës.

Rrezarta Bajrami, mikrobiologë, ka thënë se janë duke mbledhur rreth 30 mostra pozitive me COVID-19, e që javën tjetër pritet të dërgohen.

“Fatkeqësisht në Kosovë ende nuk është e mundur të bëhet sekuensionimi gjenetik, por në një të ardhme të afërt do të realizohet. Jemi të përgatitur, por brenda javës jemi duke mbledhur 20 30 mostra të pacientëve pozitivë dhe do të dërgohen këto mostra në laboratorë referentë në Evropë”, ka thënë ajo.

Bajrami tutje ka sqaruar për përhapjen e shpejtë të këtij versioni të ri të virusit.

“Është lidhur shkalla e transmetimit duke u rritur për receptorë. Ky mutacion ka ndodhur në proteinën gjembore, ku është një vend kyç, ku nuk lidhen receptorët në qeliza humane, kanë ndodhur 25 mutacione në këtë proteinë gjembore, pritshmëria që të ndodhë mutacione është normale”, ka shtuar Bajrami, e cila ka treguar që shumë shpejt pritet që edhe Kosova të mund të bëjë detektimin e versionit të ri të virusit.

Ditë më parë drejtori i Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik ka deklaruar se si institucionet janë të përgatitura dhe kanë të gjitha kapacitetet për t’u përballur me çdo mutacion të virusit.

Pas paraqitjes së rasteve të para me versionin e ri të virusit, pothuajse të gjitha shtetet mbyllën kufijtë me Britaninë e Madhe. Kosova vetëm një javë më parë pezulloi fluturimet me këtë shtet. Megjithatë, shumë qytetarë kanë hyrë në Kosovë nga shtete të tjera, pa asnjë pengesë.

E grumbullimi i shumë personave duke mos respektuar asnjë masë mbrojtëse të koronavirusit, sipas mjekëve, mund të jenë shkaktarë të rritjes së numrit të të infektuarve e të hospitalizuarve, në muajt e parë të vitit 2021. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se janë duke u përgatitur për çdo lloj situate që mund të vijë në muajt e parë të vitit tjetër. “Tani është më lehtë, sepse ne në nëntor i kishim mbi 1 mijë pacientë që trajtoheshin në klinikat tona dhe ne këtë moment po e shfrytëzojmë për të reflektuar dhe për t’u riorganizuar sa më mirë që të jetë e mundur për çdo situatë tjetër që të mund të paraqitet në të ardhmen dhe sidomos në tremujorin e parë gjatë vitit të ardhshëm”, ka thënë Krasniqi.

Nëntori ishte muaji kur Kosova shënoi rekordin e të infektuarve, me rreth 19 mijë raste të konfirmuara me mbi 300 të vdekur nga COVID-19.