Arbëri

Mehmeti: Është rritur për 110 numri i rasteve të dhunës në familje sivjet

Ushtruesi i detyrës në Policinë e Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se Policia është një hap përpara drejt objektivit që të parandalohet dhe luftohet dhuna në familje. Ai në Express Intervistë ka thënë se 110 raste më shumë të dhunës në familje ka pasur gjatë këtij viti, e që shton se arsyeja mund të jetë për shkak të izolimit nga pandemia.

“Policia e Kosovës e ka marrë seriozisht jo vetëm sivjet, trajtimin e dhunës në familje ku kemi disa ngritje të rasteve. Sivjet kemi ngritje për rreth 110 raste më shumë të dhunës në familje në 11 mujorin e parë të vitit. Nga 1751 raste në 2019, sivjet i kemi pasur 1861. Ndoshta, raste më shumë ka pasur për shkak të pandemisë me COVID-19 dhe izolimit. Vitet e fundit Kosova ka bërë hapa drejt vetëdijesimit të qytetarëve që ta raportojnë dhunën në familje”, tha ai.

Mehmeti tha se nga një veprim i një polici nuk mund të përfshihet e gjithë Policia, teksa ka inkurajuar gratë e vajzat që përjetojnë dhunë, të raportojnë në Polici por edhe t’i raportojnë policët nëse nuk i trajtojnë me seriozitet.

“Nëse ka ndodhur një rast që nuk është trajtuar nga një polic, nuk guxojmë ta përfshijmë të gjithë policinë e Kosovës. Inkurajoj çdo qytetar, në këtë rast çdo grua që ka një problem në familje dhe nuk trajtohet në mënyrë të rregullt nga Policia, ta raportoj atë”, tha ai.

Ai ka thënë se Policia i ka trajnuar zyrtarët për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje, ndërsa shton se janë ndërmarrë masa ndaj policëve që nuk kanë kryer punën si duhet.

“Fillimisht i kemi trajnuar zyrtarët tanë se si t’i trajtojnë rastet e dhunës. Nuk kemi mundësi që të gjithë policët të jenë specialistë të dhunës në familje. Fillimisht është ana edukative se si duhet të merret me rastin. Aspekt tjetër është disiplina. Kur nuk është kryer puna si duhet, janë marrë masa”, tha ai.

Mehmeti ka theksuar se policia reagon pavarësisht rastit që paraqitet në polici dhe nuk ka rëndësi nëse nuk tregohen shenja të dhunës fizike.

“Kemi shumë raste kur duhet të bëhet kulturë që nuk duhet të presim deri të vjen të dhuna fizike. Në të gjitha rastet reagohet sepse janë individë të trajnuar për rastet. Nuk duhet të pritet deri te dhuna fizike, por në çdo rast që pretendon nga Policia merret seriozisht. Pretendimi më tutje hetohet dhe shihet saktë çfarë ka ndodhur”, shtoi tutje ai.

Mehmeti foli edhe për task-forcën antikorrupsion. Ai e sheh të pamjaftueshëm numrin e policëve që ishin angazhuar aty dhe thotë se me 30 policë nuk mund të luftohet korrupsioni në Kosovë.

“Nëse mendohet se me 30 policët që i ka pasur task forca do luftohet korrupsioni në Kosovë, nuk pajtohem. Të gjithë policët duhet të angazhohen me luftu korrupsionin në Kosovë”, tha ai.

Mehmeti njoftoi se 13 zyrtarë policorë deri tani kanë vdekur nga COVID-19 e që ka numër të madh të infektuar e në izolim.

“13 nga kolegët tanë nuk kanë arritë ta tejkalojnë infeksionin. Kemi pasë numër të madh të policëve të infektuar dhe numër të madh në izolim. Pjesa tjetër që kanë qenë në punë e kanë dhënë kontributin e tyre dhe në mënyrë profesionale i kanë ndihmuar qytetarëve. Tash kemi diku 246 policisë të infektuar, asnjë prej tyre nuk është në gjendje shumë të rëndë”, përfundoi ai.