Arbëri

Hoti thotë se MCC-ja ka vazhduar mbështetjen për Kosovën

Descriptive Text

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka vazhduar mbështetjen për Kosovën.

Përmes një postimi në Facebook thotë se në letrën që ka pranuar nga Sean Cairncross, kryeshef ekzekutiv në MCC, ky vendim vjen si njohje e partneritetit mes shteteve.

“Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) vazhdon mbështetjen për Kosovën. Jam i lumtur të ndaj me ju lajmin se Bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes kompakte për Kosovën. Në letrën që kam pranuar nga z. Sean Cairncross, kryeshef ekzekutiv në MCC, thuhet se ky vendim vjen si njohje e partneritetit tonë të fuqishëm dhe angazhimit të qëndrueshëm që Kosova ka bërë në fuqizimin e institucioneve demokratike, duke mbajtur politika të shëndosha ekonomike dhe duke investuar në qytetarët e sajë”, thuhet në njoftimin e Hotit.

Hoti thotë tutje se Bordi i MCC-së ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe punën e zellshme për të zbatuar me sukses programin e pragut të Kosovës.

“MCC-ja vlerëson edhe formimin e Ekipit të Veprimit, për zhvillimin e sektorit të gazit i cili vazhdon të ketë burimet dhe vëmendjen e nevojshme nga zyra ime dhe nga të gjitha ministritë përkatëse. Jam shumë i lumtur për vazhdimin e mbështetjes nga ana e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe pres thellimin e partneritetit për të jetësuar një program ambicioz inovativ dhe transformues në Kosovë”, përfundon Hoti njoftimin.

https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/3941994515861873