Arbëri

Të burgosurit punëtorë

Pesë të burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdovc janë angazhuar në prodhimin e qeseve të mbeturinave dhe rezultati është i prekshëm që në ditët e para: 120 mijë copë qese, më shumë pastërti dhe 5.000 euro kursime për këtë institucion.

Kjo është punëtoria e tretë në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe qeset kanë nisur të prodhohen pasi makina u dha donacion nga organizata “Help Kosovo”.

“Me fillimin e prodhimit të qeseve për mbeturina nga të burgosurit , përveçse synohet rehabilitimi edhe risocializimi i tyre, synohet edhe ulja e shpenzimeve ekonomike, e po ashtu edhe rritja e nivelit të higjienës dhe pastërtisë brenda institucioneve korrektuese. Vetëm në kontingjentin e parë janë prodhuar 120.000 copë qese të mbeturinave, ku rrjedhimisht është kursyer buxheti i SHKK-së për 5000 euro”, thuhet në njoftimin e SHKK-së të enjten.

Puna në prodhimin e qeseve po kryhet nga të burgosurit, kurse po mbikëqyret nga Njësia Ekonomike e SHKK-së. Janë të angazhuar rreth pesë të burgosur.

“Vitin e ardhshëm synohet edhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese, me çka do të rritet edhe numri i të punësuarve”, thuhet në njoftim.

Aktualisht në Burgun e Sigurisë së Lartë janë duke funksionuar tri punëtori, në të cilat bëhet prodhimi i letrës higjienike, prodhimi i qeseve të mbeturinave si dhe zdrukthëtaria.

Në të tri punëtoritë janë të angazhuar mbi 20 të burgosur, derisa produktet e prodhuara do të përdoren për nevojat e të gjitha institucioneve korrektuese.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka për qëllim që me anë të Njësisë Ekonomike të angazhojë të burgosurit në punë dhe aktivitete të ndryshme, po ashtu me anë të punës së organizuar në institucione korrektuese synohet në një ulje të konsiderueshme të shpenzimeve”, thuhet në njoftim.

Image