Arbëri

Në Mitrovicë përdhoset pllaka përkujtuese për 24 pasagjerët e aeroplanit të OBU-së

Në vendin e njohur si Kodrat e Picelit, në malet e Bajgorës, Mitrovicë, është përdhosur pllaka përkujtuese për 24 pasagjerët që humbën jetën pas përplasjes së aeroplanit të Organizatës Botërore të Ushqimit në Kodrat e Picelit, më 12 nëntor 1999.

Një pllakë përkujtimore në nderim të viktimave ishte ngritur pas luftës, por tash, bazuar në fotot e një lexuesi të KOHË-s, ajo është demoluar.

KOHA ka provuar të kontaktojë Policinë në Mitrovicë, por nuk ka arritur.

Aeroplani ishte përplasur në vendin e quajtur Kodrat e Picelit, teksa po sillte ushqim për kosovarët.

{gallery}


KOHA, më 12 nëntor 2017, kishte botuar një tekst për këtë ngjarje të dhimbshme. Teksti i plotë:

Kodra fatale

Picel/Mitrovicë - Një mjegull e dendur e kishte mbuluar majën e lartë të një kodre të fshatit Picel, në verilindje të Mitrovicës më 12 nëntor 1999. Asgjë nuk shihej atë ditë të premteje në këtë pjesë, rreth 1400 metra lartësi mbidetare. Kodra “cullake”, ku dikur ishte miniera e azbestit, kishte “fshehur” gjurmët e saj. Sikur ishte përgatitur për “një sulm” vdekjeprurës që do të ndodhte. Tetëmbëdhjetë vjet më parë, në anën lindore të kësaj kodre (prej nga e ka fshatin Kaqandoll të Podujevës), është përplasur një aeroplan i Programit Botëror të Ushqimit (ËFP). Dhe, nëse për asgjë tjetër nuk do të mbahet mend, ajo do të kujtohet gjithmonë se u bë shkaktare e marrjes së 24 jetëve.

Enver Feratit i kujtohet si sot lajmi që ishte përhapur gjithandej botës nëpërmjet agjencive të huaja për humbjen e gjurmëve të aeroplanit të tipit “ATR 42” që kishte fluturuar paraditen e 12 nëntorit të vitit 1999 nga aeroporti “Leonardo da Vinçi” në Romë. Fluturimi i “Si Fly” që ishte miratuar nga Programi Botëror i Ushqimit aterrimin do të duhej ta bënte në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Por, kjo nuk ndodhi asnjëherë.

Kontrolli i trafikut ajror i Prishtinës, sipas një raporti të Ëikipedia-s në gjuhën angleze, në orën 09:59 kishte kërkuar nga fluturimi 3275 që të zbriste fillimisht në 5,200 metra, e në orën 10:03 në 4,600 metra. Njëmbëdhjetë minuta më vonë aeroplani humbi nga radarët. Në të njëjtin raport thuhet se aeroplani francez ishte fërkuar për degët e lisave para se të përplasej për kodre, 15 metra poshtë majës së saj.

“Unë e mbaj në mend që agjencionet e atëhershme e kanë raportua prej Kosove që ka ndodhë një fatkeqësi ajrore në malet e Shalës. Edhe e kanë lajmëruar se kanë humbur jetën 24 persona në mesin e tyre 21 udhëtarë humanitarë e diplomatë, të gjithë të huaj dhe 3 anëtarë të ekuipazhit”, nisë rrëfimin Enver Ferati nga fshati Bare i Mitrovicës, që gjendet rreth 7 kilometra larg vendaksidentit të aeroplanit. “Transportin e kishte organizuar Programi Botëror i Ushqimit (ËFP) në ndihmë popullit të Kosovës. Kanë sjellë ushqim, pasi 12 nëntori ka qenë 5 muaj pasi ka hy KFOR-i edhe ka pas mungesë të ushqimit dhe nevojat e popullatës kanë qenë të shumta. Ky ka qenë sigurisht një prej atyre fluturimeve që kanë qenë seri, se fluturime ka pas edhe ditëve përpara dhe pas kësaj, për të siguruar ushqime për popullatën që kishte mbetur pa strehë”.

Dyshimi ishte te Serbia

Në ditën kur kishte ndodhur fatkeqësia, Enver Ferati, ka qenë në Prishtinë, aty ku jeton prej kohësh. Por, në Bare i kishte pasur prindërit. Ai tregon frikën që kishin pasur banorët për shkak të forcave të shumta që kishin kaluar nga Mitrovica për në Shalë të Bajgorës. Mendonin se “krisi” lufta përsëri.

“Fatkeqësia ka ndodhë paradite kah ora 10:00, edhe popullata është trishtuar ‘mos u ndez prapë lufta’ për shkak të forcave të shumta që kishin kaluar andej, pasi KFOR-i u ka dhënë urdhër forcave franceze prej Mitrovice për të shkuar në vendin e ngjarjes për të parë se çka ka ndodhë. Dyshimi i tyre ka qenë mos ishte e involvuar ushtria serbe, duke marrë parasysh që prej vendit ku ka ndodhë rasti është 20-30 kilometra vijë ajrore me kufirin serb, edhe mos ka dalë ndonjë njeri i krisur edhe e ka gjuajtur aeroplanin për ta rrëzuar”, thotë Ferati. “Mirëpo, ajo ka dalë që nuk është e vërtetë. Aty aeroplani është rrëzua për shkaqe teknike, për arsye se ka qenë dita shumë me mjegull dhe pamja ka qenë shumë e shkurt. Prindërit nuk e kanë dëgjuar asnjë zhurmë se bjeshka është bajagi larg prej fshatrave dhe në afërsi nuk ka pas as atëherë banorë”.

Në numrin e “Kohës Ditore” të datës 13 nëntor 1999, që ishte ditë e shtunë, një ditë pas aksidentit, shkruan se avioni i tipit “ATR 42” i cili ishte nisur në Romë në orën 11:00 për në Prishtinë do të duhej të ateronte në Aeroportin e Prishtinë në orën 12:15. Por, kjo nuk kishte ndodhur. Oficeri ndërlidhës i KFOR-it në Prishtinë, Mark Cox, thoshte atëkohë se në orën 12:13 sipas kohës lokale avioni është zhdukur prej ekraneve të radarëve kur ishte në hapësirë rreth 20 km në veri të Prishtinës. Tre helikopterë patrullues të Francës, Britanisë dhe Kanadasë ishin vënë në kërkim të avionit. Edhe helikopterët e ndihmës së parë ishin vënë në gatishmëri. Patrullimi ishte rritur edhe në katër sektorët e veprimit të KFOR-it, në veri, perëndim, qendër e lindje. Zëdhënësi i KFOR-it, Roland Lavoie, nuk e kishte hedhur poshtë as mundësinë që avioni të mund të ketë fluturuar në hapësirën ajrore të Serbisë, apo edhe që të jetë rrëzuar atje.

Ky ishte aeroplani i dytë i nisur nga Roma i Organizatës Botërore të Ushqimit dhe se i pari kishte ateruar me sukses në aeroportin e Rinasit në Tiranë. Por, jo edhe i dyti. Në mbrëmjen e së premtes ishin gjetur copat e aeroplanit në kodrën e Picelit, e që KFOR-i i referohej vendit si Sllakovc. Dy ditë pas aksidentit, në numrin në vazhdim të “Kohës Ditore” të 14 nëntorit, shkruhej për dhimbjen për jetët e humbura, pasi askush nga udhëtarët nuk kishte shpëtuar, përfshirë edhe ekuipazhin. Aty thuhej se në mesin e viktimave ishin dy shtetas britanikë, dhjetë italian, tre spanjollë dhe një zyrtar qeveritar kanadez. Viktimat ishin anëtarë të policisë së UNMIK-ut, të stafit të ËFP-së, persona të organizatave të tjera ndërkombëtare dhe një zyrtar qeveritar kanadez. Copat e aeroplanit ishin gjetur mbrëmjen e së premtes rreth orës 22:00, ndërsa në hetime ishin përfshirë 500 ushtarë të KFOR-it dhe të forcave policore të UNMIK-ut

“Zëdhënësi i ‘Tera –fund’ nga Londra kishte bërë të ditur se shtetasit britanikë që kanë humbur jetën janë Nicholas Ivens (34) dhe Kevin Lay (36) nga Britania. Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës kishte lajmëruar të premten mbrëma se në mesin e 24 udhëtarëve, kanë qenë edhe 3 shtetas spanjollë-dy policë dhe 1 i gardës civile”, shkruante “Koha Ditore” më 14 nëntor 1999. Aty citohet edhe përfaqësuesi special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Bernard Kouchner, i cili u shprehte ngushëllimet familjarëve të viktimave.

Askush s’i kujton viktimat që vdiqën në përpjekje për ta ndihmuar Kosovën

“Humbja e këtyre njerëzve të cilët dëshiruan të vijnë në Kosovë për të ndihmuar është një tragjedi e tmerrshme për të gjithë ne”, kishte thënë përfaqësuesi special i OKB-së, Bernard Kouchner, cituar në “Koha Ditore”. “T’u ndihmosh të tjerëve është një ekspeditë e rrezikshme. Dhe është shumë vështirë të ndihmosh në Kosovë. Unë dëshirojë t’iu shpreh ngushëllime familjeve të cilat i humbën më të dashurit e tyre si dhe pikëllimin tim të thellë”.

Tashmë hulumtuesit nga Italia, Franca dhe nga Britania e Madhe së bashku me ekspertët e Organizatës ndërkombëtare për aviacioneve civile kishin arritur në Prishtinë për të ndihmuar në gjetjen e viktimave dhe shkaktarin e rrëzimit të aeroplanit. Disa nga hulumtuesit kanë thënë atëkohë se pilotët kanë pasur probleme me radio-komunikuesit dhe avioni kishte fluturuar 10-15 kilometra më në veri sesa që është dashur të fluturojë.

Për këtë ngjaje kishte raportuar edhe “The Neë York Times”. Gazetari Steven Erlanger shkruante më 14 nëntor 1999 se forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë bërë të ditur se kanë gjetur trupat e pajetë të 24 pasagjerëve dhe anëtarët e ekuipazhit që vdiqën të premten kur aeroplani i tyre u rrëzua në një pjesë malore në veri të Kosovës.

“Aeroplani i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së që fluturonte gjashtë ditë në javë ndërmjet Romës dhe Prishtinës, u zhduk nga radari të premten në mesditë. Kërkimet e vështira gjatë natës me përforcim të pajisjeve për kërkime natën kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve të aeroplanit ATR-42 rreth dhjetë kilometra në verilindje të Mitrovicës. Të gjithë 21 pasagjerët dhe tre anëtarët e ekuipazhit kanë mbetur të vdekur”, shkruante “The Neë York Times”.

Enver Ferati ka kohë që jeton në Prishtinë, por gati sa herë që vjen në vendlindjen e tij, rreth 7 kilometra larg vendaksidentit të këtij aeroplani, kthehet edhe në Picel për të kujtuar ditën e kobshme ku humbën jetën 24 persona që gjendeshin në aeroplanin “ATR 42”. Por, ai habitet se si institucionet e vendit nuk u kujtuan asnjëherë të vendosin një pllakë përkujtimore në vendin ku humbën jetën këta humanitarë.

“Sa herë që shkoj aty afër, ma kujton atë ngjarje tragjike, ku kanë vdekë 24 njerëz. Dhe ata nuk kanë vdekë për vendet e veta, por për Kosovën. Për ne si kosovar edhe për mua personalisht më vjen shumë keq që prej atëherë asnjë institucion i Kosovës nuk ka marrë një iniciativë që me vendos një pllakë përkujtimore në atë vend. Është e dhimbshme, prej 24 vetave që kanë qenë humanitarë prej disa shteteve edhe me kalua 18 vjet edhe mos me vendos një shenjë. Është e patolerueshme”, është shprehur Enver Ferati. “Është shumë keq për ne si Kosovë. Ata kanë dhanë jetën në shërbim të popullit të Kosovës. Ndihmat atëkohë kanë qenë esenciale, sepse ka munguar gjithçka. Kishte me qenë mirë që institucionet përkatëse me marrë iniciativë me vendos një shenjë për këta humanitarë, me vendos një guri, një shenjë përkujtimore. Sot me i tregua një të riu që i ka 25 vjet nuk beson që ka ndodhë kjo fatkeqësi, pasi asnjëherë nuk është përkujtuar kjo ngjarje tragjike”.

Në raportin e Wikipedia-s thuhet shkaqet që i kontribuuan aksidentit ishte edhe lodhja e ekuipazhit.

24 udhëtarët e këtij aeroplani arritën të vijnë në tokën e Kosovës, por nuk ia dolën të zbresin gjallë në të. Përkundrazi, ajo u bëtë fatale për jetët e tyre që tash në Kosovës s’i kujton askush. \ Nexhat Tovërlani