Arbëri

Kuvendi pritet të shpërndahet

Kosova pritet të mbetet edhe pa Kuvend, deri pas zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen në fillimvit. Kjo do të imponojë konstituim të shpejtë të legjislaturës së re e edhe zgjedhjen e Qeverisë, për ta evituar situatën e bllokimit të pagesave nga arka e shtetit që nga data 1 mars, meqë në mungesë të miratimit të buxhetit të ri, shpenzimet në këtë muaj nuk mund të bëhen pa miratim në Kuvend.

Dilema e re kushtetuese nëse duhet shpërndarë legjislatura aktuale ose jo, është ngritur menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese gjeti se vendimi i Kuvendit me të cilin është zgjedhur Qeveria, nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën, e për pasojë vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Një zyrtar i lartë i Kuvendit i ka thënë KOHËS se, aktualisht, informata e publikuar nga Kushtetuesja nuk prodhon efekt juridik, por se me t’u publikuar vendimi në Gazetën Zyrtare, presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, duhet ta shpërndajë Kuvendin.

“Menjëherë pasi të publikohet aktgjykimi në Gazetën Zyrtare, ushtruesja e detyrës së presidentit duhet ta lëshojë një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe njëkohësisht e shpall edhe datën e zgjedhjeve”, ka thënë ky zyrtar. “Është hera e parë që përballemi me këso situate, por është e qartë se Kuvendi duhet të shpërndahet, sepse zgjedhjet e reja nuk mund të shpallen duke e pasur Kuvendin funksional. Madje, edhe zgjedhjet e rregullta kur të shpallen, Kushtetuta kërkon që shpërndarja të ndodhë një muaj para datës kur ato mbahen”.

Të hënën në orët e darkës, Kushtetuesja e ka publikuar informatën për vendimin përkitazi me një kërkesë të Vetëvendosjes, e cila e kishte kontestuar votën pro Qeverisë të deputetit Etem Arifi, i cili kishte marrë mandatin, ani se paraprakisht ishte dënuar me vendim të formës së prerë. Qeveria kishte marrë mbështetjen e 61 prej 120 deputetëve, sa ka Kuvendi, pra minimumin që kërkohej.

Gjykata konstatoi se personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, ka konsideruar se zgjedhja e Qeverisë nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, është një nga pikat e vendimit të Gjykatës.

Megjithëkëtë, Kushtetuesja nuk e ka publikuar vendimin e plotë dhe në përmbajtjen e informatës nuk është treguar nëse edhe Kuvendi duhet shpërndarë.

KOHA e ka pyetur Gjykatën për kohën kur vendimi do të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe nëse në përmbajtjen e plotë të dokumentit do të sqarohet edhe çështja e Kuvendit. Por nuk është ofruar përgjigje konkrete.

“Vendimi është në fazën përgatitore për publikim”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses. “Sapo të jetë gati për publikim, vendimi do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe i njëjti do të dërgohet për publikim në Gazetën Zyrtare”.

E një ish-gjyqtar i Kushtetueses që, po kështu, ka folur në kushte anonimiteti, ka insistuar se Kuvendi nuk duhet të shpërndahet.

“Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk është delegjitimuar Kuvendi, por Qeveria. Prandaj nuk kërkohet të shpërndahet Kuvendi”, ka thënë ky ish-gjyqtar. “Në nenin 82, Kushtetuta tregon qartë se në cilat raste shpërndahet Kuvendi”.

Neni që i është referuar ky ish-gjyqtar thotë se Kuvendi shpërndahet në tri raste: nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk mund të formohet Qeveria; nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të presidentit; nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti. Sipas këtij neni, Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti, edhe pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.

Prej më shumë se një dekade, asnjë mandat nuk është çuar deri në fund. Në shumicën e herëve, Qeveria është rrëzuar me mocion mosbesimi, ndërkaq në një rast Kuvendi është shpërndarë me dy të tretat e votave. Megjithëkëtë, praktika e mëhershme tregon se Kuvendi është shpërndarë edhe para zgjedhjeve të rregullta dhe nuk ka punuar në kohë fushate.

Por Rregullorja e punës së Kuvendit ofron një saktësim, edhe për rastet kur nuk shpërndahet Kuvendi. Bazuar në nenin 14 të këtij dokumenti, Kuvendi nuk mund të jetë aktiv në kohë fushate.

“Kuvendi e pezullon punën një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore”, thuhet në pikën e dytë të këtij neni.

Megjithëkëtë, i njëjti paragraf ia mundëson kryeparlamentares ta vazhdojë punën, e rrjedhimisht edhe ta ushtrojë mandatin e presidentes në detyrë, funksion të marrë një muaj më parë pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi.

“Gjatë fushatës zgjedhore Kryesia e Kuvendit e vazhdon punën, me qëllim që të ruhet vazhdimësia e punës së Kuvendit”, thuhet në të njëjtin paragraf të nenit 14 të Rregullores.

E shpërndarja e Kuvendit rrezikon ta lërë Kosovën pa buxhet në muajin mars. Më 30 nëntor Qeveria e ka bartur Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, dhe ai i është proceduar Kuvendit, por nuk ka ecur në procedurë, meqë opozita ka pasur kritika të mëdha për të.

Kryeministri Avdullah Hoti i ka bërë thirrje Kuvendit që ta votojë buxhetin, përpara se të shpërndahet.

“Përpara kemi punë të rëndësishme, e edhe buxhetin. Bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërbëhet pa u votuar buxheti për vitin 2021”, ka thënë Hoti në një konferencë shtypi. “Një pjesë e buxhetit bazohet në disa marrëveshje ndërkombëtare dhe pres që Kuvendi të miratojë buxhetin e edhe këto marrëveshje ndërkombëtare”.

Bazuar në procedurë, nëse Ligji nuk miratohet, atëherë për muajin janar dhe shkurt Qeveria mund të operojë konform ndarjeve buxhetore të muajve të njëjtë të vitit paraprak, ndërkaq për muajin mars kërkohet ta marrë aprovimin nga Kuvendi. Kësisoj, nëse buxheti nuk miratohet para shpërndarjes së Kuvendit ose pezullimit të tij, atëherë në mungesë konstituimi të institucioneve të reja, nga marsi nuk do të mund të procedohet asnjë pagesë.

Procedura për nxjerrjen e një ligji të ri të buxhetit do të merrte shumë kohë. Kjo për shkakun se, me t’u shpërndarë Kuvendi ose me t’u pezulluar puna e tij, të gjitha nismat ligjore u kthehen sponsoruesve, përfshirë edhe Projektligji për buxhetin e edhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.

E nisma ligjore nuk ka të drejtë të ndërmarrë një Qeveri në detyrë, çfarë do ta marrë statusin Qeveria Hoti sapo që vendimi i Kushtetueses të shpallet në Gazetën Zyrtare. Kësisoj, vetëm pas konstituimit të Qeverisë së re, një projektbuxhet i ri mund të hartohet dhe të përcillet për votim në Kuvend.

Qeveria Hoti, në bazë të informatës së dhënë nga Kushtetuesja, do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re pasi ka konstatuar se Aktgjykimi “nuk ka efekt prapaveprues”.

Mandatin do ta vazhdojë deri në konstituimin e legjislaturës së re edhe Kryesia e Kuvendit, e cila drejtohet nga kryeparlamentarja Osmani. Këtë e kërkon Rregullorja e punës së Kuvendit në nenin 14 të saj.

“Gjatë fushatës zgjedhore Kryesia e Kuvendit e vazhdon punën, me qëllim që të ruhet vazhdimësia e punës së Kuvendit”, thuhet mes të tjerash në këtë nen të Rregullores, sipas së cilës Kryesia e përgatit madje edhe seancën konstituive të legjislaturës së re.