Arbëri

Në projektbuxhetin për vitin 2021 nuk përmendet blerja e vaksinave anti-COVID

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Për ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, çështja më joproblematike për sigurimin e vaksinave anti-COVID 19 është buxheti.

“Problemi më i vogël dhe më i padiskutueshëm është buxheti. Është pjesë e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, por edhe pjesë e projektbuxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Zemaj.

Megjithëse ka thënë që ndodhet në projektbuxhet, te kategoria e barnave te Ministria e Shëndetësisë del që nuk ka të planifikuara para për blerjen e vaksinave.

Te projektbuxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, te linja e Shërbimeve Përkatëse Farmaceutike, për vitin 2021 janë të parapara rreth 12 milionë euro. Në këtë linjë buxhetohen barnat e Kujdesit Parësor Shëndetësor, programet specifike dhe vaksinat.

Megjithatë, përafërsisht i njëjti buxhet për këtë kategori ka qenë edhe në vitit 2020, gjë që dëshmon së vaksinat anti-COVID nuk janë futur në këtë linjë.

Ministri ka përmendur edhe Ligjin për Rimëkëmbje si dokument ku janë të parapara pagesat për këto vaksina.

Në Planin për Rimëkëmbje janë të paraparë 13 milionë euro për mallra dhe shërbime, prej tyre 10 milionë euro janë të dedikuara për qëllime të menaxhimit të pandemisë dhe do t’i alokohen SHSKUK-së.

Megjithatë, vaksinat kontraktohen nga MSh-ja dhe nuk janë për sistemin terciar, por aplikohen në sistemin primar, pra në QKF, që nënkupton se Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për blerjen e tyre.

KOHA ka mësuar që përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me përfaqësues të Qeverisë, javën e kaluar në një takim më përfaqësues ndërkombëtarë kanë kërkuar donacione 40 milionë euro , të cilat do të shfrytëzoheshin për blerjen e vaksinave dhe për çështje të tjera në lidhje me pandeminë.

Siç ka mësuar televizioni, kërkesa për këtë donacion është refuzuar nga përfaqësuesit e ambasadave.

Ka rreth një javë që për këtë çështje është pyetur Qeveria e Kosovës, por edhe MSh-ja, megjithatë asnjëri institucion nuk është përgjigjur.

Siç kanë thënë burimet, MSh-ja është në negociata me kompaninë PFIZER për sigurimin e vaksinës.

Ministri Zemaj ka pranuar së është duke u negociuar kjo çështje, por nuk ka thënë së me cilën kompani.

Përderisa shtete fqinje siç është Serbia zyrtarisht kanë thënë se vaksinat i presin gjatë kësaj jave, në Kosovë mungon edhe terapia ndihmëse për trajtim të COVID 19.

Ka disa javë që në tregun privat dhe atë publik ka mungesë të fraksiparinës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka deklaruar së kanë kontratë valide, por ka pranuar se për momentin fraksiparina nuk gjendet në spitalet publike.

“Kemi si ShSKUK kontratë për furnizim me fraksiparinë. Shpenzimet kanë qenë enorme nëse krahasohen me këtë vit. Bile janë porositur dhe shpenzuar një sasi e planifikuar për vitin e ardhshëm brenda këtij viti. Kemi premtime konkrete nga operatorët që gjatë dy ditëve të ardhshme të fillojë furnizimi”, ka deklaruar Valbon Krasniqi, u.d. i drejtorit të SHSKUK-së.

Gjatë tërë vitit ka pasur mungesë të barnave specifike për pacientë me COVID-19.

Një pjesë e analizave për këta pacientë nuk janë kryer në QKUK, ndërsa aparatura që gjendën në këtë institucion kohë pas kohe ishin jashtë funksionit.