Arbëri

Tentativat e dështuara për zgjidhjen e çështjes së presidentit

Foto: Driton Paçarada / KD

Tentativat e deritashme të Lidhjes Demokratike për t’i dhënë zgjidhje çështjes së presidentit kanë rezultuar të dështuara. Me gjithë paralajmërimet, ende nuk ka një datë se kur do të mbahet takimi mes partive. “Koha” është informuar se vonesat janë për shkak të mospajtimeve brenda partnerëve të koalicionit, ku AAK-ja nuk ka dhënë shenja se do të heqë dorë nga kandidatura e Ramush Haradinajt.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka përsëritur edhe të hënën se po përpiqen të organizojnë një takim.

“Jemi duke u munduar të organizojmë sa më parë takimin. Tash ftesa formale të shkruara nuk kemi bërë, por jemi duke tentuar që sa më parë të gjejmë një zgjidhje. Unë besoj që edhe janari është vonë, por gjithsesi sa më parë do të organizohet”, ka thënë Hoti gjatë një vizite në Rahovec, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa.

Hoti ka folur vetëm për dallimet që kanë me Listën Serbe. Edhe pse nuk i ka bërë të ditura kërkesat e saj, kreu i ekzekutivit ka thënë se janë duke tentuar tejkalimin e këtyre dallimeve, por gjithnjë duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

“Janë disa çështje që i kemi brenda koalicionit me ta, të cilat po mundohemi t’i zgjidhim vetëm në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën dhe marrëveshjet e Brukselit që kemi. Në asnjë formë tjetër, po bëjmë përpjekje, janë duke punuar institucionet përkatëse, besoj që do të tejkalojmë. Nëse arrijmë të tejkalojmë, do të tejkalojmë vetëm sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i Partisë Demokratike, Avni Bytyqi ka theksuar shkurt se nuk ka ndonjë zhvillim rreth diskutimeve për postin e presidentit. Kjo parti e ka bërë të qartë se bëhet pjesë e zgjedhjes së presidentit vetëm me kushtin që kandidati të propozohet prej tyre. PDK-ja e ka quajtur të padenjë kandidaturën e Haradinajt. Ky i fundit është përplasur në distancë me ish-partnerin duke thënë se pati hyrë në koalicion me “hajnat e Prontos” për t’i shpëtuar nga rënia në opozitë në vitin 2017.

Mungesa e votave për presidentin

Pa 14 votat e deputetëve të Aleancës, LDK-ja dhe PDK-ja e kanë të pamundur ta zgjedhin presidentin vetëm me përkrahjen e komuniteteve jo shumicë. Sipas Kushtetutës, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, por me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim.

Ndërkaq, Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë të bëhet pjesë e diskutimeve për presidentin, duke insistuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Vendi mund të futet në krizë institucionale dhe paqartësi kushtetuese nëse partitë politike nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri deri në prillin e vitit të ardhshëm.

Sipas Kushtetutës, “posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”. Vjosa Osmani e ka marrë detyrën më 5 nëntor, ditën kur presidenti Thaçi dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Edhe pse Kushtetuta nuk përcakton kohën brenda së cilës duhet të shpallen kandidaturat, pas dorëheqjes së kreut të shtetit, procedurat mund të nisin menjëherë. Ndërkaq, 60 ditë është afati brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti, momentin që fillojnë ato.

Në dy rundet e para kërkohet që të zgjidhet me dy të tretat, pra 80 vota, ndërsa në të tretin kërkohen 61 vota, me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh.

Sipas nenit 86.3 secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, “nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës”.