Arbëri

Pritje të gjata nëpër kufijtë nga diaspora në Kosovë

Prishtinë, 20 dhjetor - Si çdo vit edhe kësaj here bashkatdhetarë të shumtë që ia mësynë Kosovës, për festa të fundvitit, u ballafaquan me pritje të gjata nëpër pika kufitare.

Përkundër pandemisë dhe pritjeve nëpër kufij të shteteve të ndryshme, sidomos Hungari-Serbi, deri në 12 orë, thonë se me këtë janë mësuar tashmë.

Por, të dielën, në hyrjen nga Serbia në Kosovë, në kalimin kufitar në Merdar, nuk kishte pritje të gjata.

Nga Zvicra për në Kosovë ka udhëtuar edhe Zyber Ejupi, për të cilin rruga ishte mjaft e mundimshme dhe e gjatë.

Ejupi në kufirin Slloveni-Kroaci ka pritur 12 orë, ndërsa Kroaci-Serbi 10 orë.

“Rruga ka qenë shumë e gjatë, pritjet kanë qenë shumë të gjata nëpër kufij të ndryshëm, por jo edhe në hyrje të Kosovës, që kemi pritur diku rreth 20 minuta, por qëndrimi në Kosovë na bën ta harrojmë lodhjen dhe maltretimin e rrugës”, ka thënë Ejupi.

Por, gjendjen me pandeminë, Ejupi e vlerëson të njëjtë si në Zvicër ashtu edhe në Kosovë.

“Gjendja është e njëjtë, nuk po frikësohemi, por është mirë të ruhemi nga pak”, ka shtuar ai.

Me telashe të njëjta janë ballafaquar edhe shumë bashkatdhetarë të tjerë, të cilët kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të Evropës për në Kosovë.

Petrit Kajolli nga ora 9 e mbrëmjes deri në 4 mëngjes kishte pritur në hyrje të Hungarisë.

“Kemi pritur mjaft shumë, por kjo është bërë e zakonshme”, thotë Kajolli. “Pandemia na i ka përzier pak punët, por erdhëm pak për vizitë te familjarët”.

Edhe Bujar Nejza ka pritur gjatë në kufirin Hungari-Serbi, më shumë se 5 orë.

“Në Hungari kemi pritur shumë, megjithatë nga Serbia deri në Kosovë kemi ardhur mirë, ne jemi testuar për koronavirus dhe neve përsëri na duhet të testohemi dhe të izolohemi kur të arrijmë përsëri në Gjermani”, thotë ai.

Nga Gjermania në Kosovë për vizitë familjarëve ka ardhur edhe Sahit Kryeziu. Ai thotë se kanë qëndruar një vit e gjysmë pa ardhur në Kosovë, por rreziku nga virusi është prezent gjithandej.

“Kemi qëndruar shumë kohë pa ardhur, megjithatë pandemia e ka kapluar gjithë boten, mbyllë jemi në Gjermani, mbyllë do të qëndrojmë edhe në Kosovë”, thotë ai.

Por, përkundër që këto shtete kërkojnë nga qytetarët e tyre që të testohen dhe të izolohen 10 ditë pas kthimit nga Kosova, vetë Kosova nuk e aplikon një gjë të tillë.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate për media, ka sqaruar se asnjë qytetar që kthehet nga vendet e tjera në Kosovë dhe që ka vendbanim në Kosovë nuk ka nevojë që me rastin e hyrjes në vendin tonë të këtë PCR test negativ. Ky test u kërkohet atyre që nuk kanë vendbanim në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet e ranguara me “rrezik të lartë”, sipas klasifikimit që bën Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjes.

“Asnjë qytetar i Kosovës që vjen në Kosovë, me apo pa PCR test, nuk i nënshtrohet kurrfarë karantine apo izolimi 14-ditor, siç dezinformohet. Ata që vijnë në Kosovë nga shtetet e klasifikuara me rrezik të lartë dhe që nuk kanë vendbanim në Kosovë, duhet të qëndrojnë për shtatë ditë në shtëpi (vetizolim) si masë parandalimi kundër përhapjes së virusit”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.

{gallery}

Pritje shumë-orëshe në kalimet kufitare mes Sllovenisë e Kroacisë, Kroacisë e Serbisë, si dhe Hungarisë e Serbisë, po kalojnë kosovarët me punë e banim në Evropën Perëndimore, të cilët përkundër situatës pandemike kanë vendosur që të vijnë në Kosovë për festat e fundvitit. Këtë fundjavë, siç kanë treguar disa nga të ardhurit prej diasporës, pritjet nëpër pika kufitare kanë qenë deri në 10 orë, duke e bërë rrugën prej Gjermanisë, Zvicrës apo Austrisë deri në Kosovë të matet me ditë e jo orë (Në foto: Pika kufitare Batrovci mes Kroacisë dhe Sllovenisë, të dielën). [FOTO: AP]