Arbëri

Punësimet klienteliste konfirmohen edhe me dokumentet e brendshme të MPJD-së

Parregullsitë me dhënien e gradave, mungesa e balancës mes të emëruarve politikë e diplomatëve të karrierës, si dhe sjelljet johumane ndaj disa diplomatëve evidentohen edhe në dokumentet e brendshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të cilat ka arritur t’i sigurojë KOHA

Prishtinë, 20 dhjetor - Vazhdimësia e politikave me prirje klienteliste dhe me bazë nepotiste në Ministrinë e Punëve të Jashtme, konfirmohet edhe me dokumentet e brendshme të këtij dikasteri, të cilat i ka siguruar KOHA.

Parregullsitë me dhënien e gradave, mungesa e balancës mes të emëruarve politikë e diplomatëve të karrierës janë disa prej parregullsive që evidentohen në “Dokumentin gjithëpërfshirës të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës”, autor i të cilit është drejtori i përgjithshëm i MPJ-së, Albert Prenkaj, dhe mban datën 17 tetor 2019.

“Qeveria e kaluar në bashkëpunim të ngushtë me nivele më të larta institucionale të Republikës së Kosovës kanë bërë shkelje eklatante të kornizës ligjore dhe akteve nënligjore. Kjo dukuri ka ndodhur në vazhdimësi, por është shprehur në veçanti në periudhën e udhëheqjes së MPJ-së nga dy qeverisjet e kaluara”, thotë dokumenti.

Aty më tej thuhet se janë lëshuar vendime të paligjshme të dërgimit në misione diplomatike të personave që nuk janë fare pjesë e shërbimit diplomatik dhe që në asnjë formë dhe asnjëherë nuk u janë nënshtruar procedurave të rekrutimit.

“Për më tepër, me dërgimin e këtyre personave në misione diplomatike është vënë në rrezik, në një masë, edhe siguria e vendit tonë pasi që personat janë dërguar në misione pa asnjë verifikim paraprak të sigurisë. Po ashtu, këta persona kanë fituar qasje në databaza shtetërore pa kaluar asnjë trajnim dhe pa marrë certifikimet e duhura për një qasje të tillë”, shkruan në dokument.

Sipas asaj që thuhet aty, në misione diplomatike ka prezencë të personave jokompetentë dhe të jashtëligjshëm në poste të konsujve dhe konsujve të përgjithshëm, “e që janë emëruar gjatë periudhës së qeverisjes së kaluar (zv.KM/Ministri i Jashtëm Pacolli)”.

Theksi është vënë te vendimet e paligjshme të nxjerra që nga dorëheqja e Qeverisë Haradinaj, më 19 korrik 2019.

Piramida e panatyrshme e gradave

Piramida e gradave përshkruhet e panatyrshme, jokonsistente dhe mbi të gjitha joparimore, e cila më së paku bazohet në meritokraci. Sipas raportit, bëhet fjalë për një piramidë të përmbysur që përbën rast eklatant krahasuar me shërbimet e tjera diplomatike në rajon dhe Evropë.

“Ajo vuan nga stërngarkimi me grada të larta krahasuar me gradat e ulëta. Mbi të gjitha, brengosës është fakti se gradat e fituara nuk përkojnë me përvojën profesionale, moshën e diplomatëve, kompetencën e tyre dhe të arriturave akademike/profileve arsimore”, thuhet në këtë dokument.

Në periudhën e përpilimit të dokumentit, MPJ-ja ka pasur mbi 52 grada diplomatike të ministrave-këshilltarë, 22 grada diplomatike të këshilltarëve, mbi 37 sekretarë të parë (22 sekretarë të parë, plus 15 konsuj me gradë të barasvlershme me sekretar të parë), 21 grada sekretarë i dytë, 1 diplomat me gradë sekretarë i tretë, si dhe 5 grada të atasheve”.

Për ta adresuar këtë çështje mes të tjerash është rekomanduar rishqyrtimi i të gjitha gradave përmes shpalljes së moratoriumit mbi gradimin për periudhën kohore prej dy vjetësh, si dhe shfuqizimin e të gjitha gradave.

“Rishqyrtimi i të gjitha gradave duhet të bëhet përmes:

a) shpallje e moratoriumit mbi gradimin për periudhën kohore prej dy vjetësh;

b) shfuqizimi i të gjitha gradave; c) përcaktimit të kritereve për gradim të diplomatëve në bazë të ligjit.

Rishqyrtimi i gradave në faza: a) moratoriumi në afat kohor prej dy vjetëve; b) ofrimi i trajnimeve për ngritje profesionale; c) vlerësimi transparent sipas kritereve nga paneli profesional ndërkombëtar; Opsioni mbi rishqyrtimin e gradave parasheh:

zhvlerësimin e gradave, të cilat janë dhënë jashtë procesit të rregullt përmes Komisionit për gradim; b) ulja e të gjitha gradave për një gradë”.

Tejkalimi i baraspeshës mes diplomatëve dhe të emëruarve politikë

Dokumenti thekson edhe tejkalimin e baraspeshës mes diplomatëve të karrierës dhe të emëruarve politikë. Mbi 70 për qind janë të emëruar politikë.

“Tentimet e pareshtura për të nxjerrë balancën në dobi të klauzolave ligjore, e që kanë rënë ndesh me ligjin, nuk janë ndalur asnjëherë dhe kanë karakter tendencioz”, shkruan në këtë dokument.

Sa i përket rotacionit, ai përshkruhet si johuman pasi diplomatëve iu dërgohen vendime për riatdhesim apo konsultime paraprake me stafin civil menaxhues të MPJ-së. Brengosës konsiderohet fakti se vendimet për kthim lëshohen në periudhën kur nuk ka qeveri legjitime, aq më tepër kur në vend të diplomatëve dërgohen persona të panjohur për shërbimin e jashtëm, pa asnjë procedurë ligjore.

“Bazuar në kornizën normative që rregullon funksionimin e Shërbimit të Jashtëm dhe të MPJ-së, lëvizja e diplomatëve nga MPJ-ja në misione diplomatike dhe anasjelltas, që me një fjalë e quajmë “rrotacion i natyrshëm”, duhet të ndërtohet një mekanizëm në bazë të praktikave më të mira të shërbimeve të jashtme të konsoliduara”, thuhet në dokument.

Masat e kërkuara

Me gjendjen janë njoftuar ministrat që nga koha e Thaçit. Si masë imediate është kërkuar anulimi i të gjitha vendimeve të paligjshme nga periudha e ish-ministrit Behgjet Pacolli, të cilat janë nxjerrë pas rënies së Qeverisë në korrik të vitit 2019.

KOHA ka kontaktuar Pacollin në lidhje me këtë dokument, por nuk është përgjigjur.

Ish-ministri Enver Hoxhaj ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për ekzistimin e këtij dokumenti.

Derisa nga ish-kabineti i ministrit Konjufca kanë deklaruar se mbështetur në programin e tyre qeverisës, kabineti pati shqyrtuar propozimet e drejtorit të përgjithshëm.

“Shumë prej qëndrimeve tona, të materializuara në veprime pastaj, janë përputhur me propozimet e atij dokumenti. Ne patëm vepruar duke shfuqizuar vendimet për 15 konsujt e jashtëligjshëm; kemi hapur për herë të parë në historinë e MPJD-së konkursin e brendshëm për ta realizuar rotacionin diplomatik; kemi punuar në integrimin e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike në strukturën e MPJ-së”, ka thënë Kreshnik Ahmeti, ish-shef i stafit në kabinetin Konjufca.

Ai ka shtuar se është vepruar në balancimin e raportit të diplomatëve të karrierës dhe atyre nga çelësi politik, duke propozuar kthimin e shtatë diplomatëve politikë në përputhje me nenet 7.7 dhe 7.8 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm. “Kemi punuar në racionalizimin e shpenzimeve duke liruar nga detyra 5 konsuj që nuk janë pranuar në mënyrë të ligjshme dhe duke mbyllur 12 pozita diplomatike të panevojshme në misione të ndryshme; gjithashtu, kemi qenë duke e përfunduar planin për riorganizimin e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës dhe duke e konceptuar mënyrën e auditimit të gradave diplomatike”, ka deklaruar ai.

Ministrja aktuale, Meliza Haradinaj, përveç paralajmërimeve për rishikim funksional të misioneve diplomatike, nuk ka treguar për veprimet që do t’i ndërmarrë për këtë qëllim.

Ndërkaq autori i dokumentit, Prenkaj, nuk ka pranuar të deklarohet rreth tij.