Arbëri

KQZ-ja “përgatitet” për dy parë zgjedhje më 2021, do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës miliona euro

Rreth 14 milionë euro vlerësohet se mund jenë shpenzimet për organizimin e zgjedhjeve vitin e ardhshëm, nëse krahas atyre lokale Komisioni Qendror Zgjedhor duhet të përgatitet edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kriza politike që ka bërë gati jofunksional Kuvendin e edhe Qeverinë, do të mund të shndërrohet edhe në krizë kushtetuese nëse subjektet politike në pushtet nuk arrijnë të sigurojnë shumicën e mjaftueshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se për zgjedhjet e rregullta lokale kanë planifikuar të shpenzojnë rreth 9 milionë. Kurse, nëse gjatë vitit mbahen edhe të përgjithshmet, sipas saj, do të kenë nevojë edhe për 7 milionë të tjera.

Daka, ka bërë të ditur se kanë bërë kërkesën për mjetet për zgjedhjet lokale. Por, nga 9 milionë sa kanë kërkuar, Ministria e Financave ka aprovuar vetëm 7 milionë.

“Projeksioni ka qenë diku rreth 9 milionë duke marrë parasysh se janë zgjedhje në 38 komuna dhe duke marrë parasysh që mundet me pas edhe balotazh... Janë më pak të kushtueshme zgjedhjet e përgjithshme se zgjedhjet lokale përafërsisht, nuk mundem me thënë saktësisht, por diku rreth 7 milionë ose edhe më pak”, ka thënë Daka.

Nga Ministria e Financave kanë konfirmuar një gjë të tillë, derisa kanë thënë se do të shqyrtojnë nëse nga KQZ-ja do të kenë ndonjë kërkesë për mjete shtesë, apo edhe për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në mungesë të një zgjidhje të përbashkët për presidentin e shtetit, partitë politike, e shohin si mundësi mbajtjen e zgjedhjeve të reja, qysh në fillim të vitit 2021. Ndonëse, fillimisht thonë se duhet të diskutohet me partitë politike, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se zgjedhjet do të duhet të mbahen brenda muajve kur në krye të presidencës është Vjosa Osmani.

Sipas Arban Abrashit, LDK-ja është duke synuar që zgjidhja të gjendet sa më shpejt. “Kalkulimet tona janë se duhet të ndodh sa më shpejt gjatë janarit në mënyrë që të mos i afrohemi shkurtit”, ka thënë Abrashi.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, mohon se janë duke u munduar të gjejnë një zgjidhje për t’iu shmangur zgjedhjeve.

“LDK-ja ka një organizim të mirë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha degët e LDK-së dhe ka një vullnet të mirë. Më shumë jemi të shqetësuar për dëmet që mund t’i shkaktojmë shtetit në qoftë se hyjmë në paqartësi kushtetuese ligjore sesa zgjedhje, sidoqoftë jemi të gatshëm për secilin opsion”, ka thënë ai në një intervistë për “ekonomia-online”.

E opsionet se kur mund të mbahen zgjedhjet, nëse nuk arrihet marrëveshje për presidentin, kanë bërë bashkë edhe partitë e tjera. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, insiston se kanë kandidatin e tyre, derisa janë të gatshëm t`i futen garës zgjedhore në çfarë do kohe.

“Aleanca e ka propozuar kandidatin për president, zotëri Haradinaj, këtë drejtim ne nuk kemi kompromise. Tani lindin dy pyetje, a dëshirojmë të kemi një president që me afate kushtetuese ky të zgjidhet, apo duam të shkojmë në zgjedhje... Çfarëdo date që të caktojnë nëse nuk zgjidhet presidenti, Aleanca pajtohet”, ka thënë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Caktimin e datës, me rëndësi nuk e konsiderojnë nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputetja Evgjeni Thaçi, për “kosovapress” ka thënë se fillimisht duhet të shteren të gjitha mundësitë për postin e kreut të shtetit.

“Duhet të jetë fuqia e koalicionit më së pari që t’i vë gjërat në lëvizje, nuk mund të kërkohet nga të tjerët dhe të fajësohen të tjerët, por vetë koalicioni qeverisës duhet të gjejë zgjidhje. Nuk mund të kalkuloj aspak as me data, as me afat, mbetet që të shihet”, ka thënë ajo.

Por, mbajtjen e zgjedhjeve me nguti e kanë nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas kësaj partie, sa më vonë që mbahen, dëmi është më i madh.

“Ne si Lëvizje nuk është që kemi zgjedh një muaj të favorshëm, aq më herët që të mbahen zgjedhjet, aq më mirë. Çdo vonesë neve po na kushton me një qeverisje të keqe, që po iu kushton qytetarëve me miliona euro, kështu që rrjedhimisht aq më herët që mbahen zgjedhjet aq më mirë për vendin dhe aq më shpejtë iu ikim krizave të tjera institucionale”, ka thënë për “kp”, deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha.

Por, sipas njohësit të çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu partitë në qeveri nuk kanë kohë për të humbur, për gjetjen e një zgjidhje. Kjo pasi sipas tij afatet kohore janë të limituara, shkaku i mandatit prej gjashtë muajsh i ushtrueses së detyrës së presidentes. Vjosa Osmani mori drejtimin e presidencës më 5 nëntor, në ditën kur nga ky post dha dorëheqje Hashim Thaçi për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

“Domosdoshmërish duhet që deri në janar ose nga fundi i janarit të ketë një marrëveshje për të shkuar drejt zgjedhjes së presidentit dhe eventualisht do të ishte e domosdoshme të merren vesh kjo klasë politike edhe për caktimin e një date konsensuale të zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë Baraliu. Ai ka shtuar se duhet të ketë koalicione parazgjedhore, në mënyrë që qeveria e re të ketë mbi 80 deputet në mënyrë që ta zgjedhë presidentin dhe t’i zgjedhë problemet tjera që kanë të bëjnë me problemet e Kosovës.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, është një nga zgjidhjet e vendosura në tavolinë, nëse partitë politike nuk dakordohen për një kandidat të përbashkët për kreun e shtetit. Përkundër paralajmërimeve, tash e më shumë se një muaj nga dorëheqja e presidentit Hashim Thaçi, nuk është arritur të mbahet një takim mes subjekteve politike, për diskutimin e zgjidhjeve të mundshme.

Përveç partive në opozitë, posti i presidentit ka ndarë edhe ato në ekzekutiv. Derisa LDK-ja kërkon që të diskutojë me partitë politike për gjetjen e një kandidati të mundshëm për president, AAK-ja insiston që tashmë kanë një kandidat dhe nuk do të bëjnë kompromise. Se kandidati duhet të propozohet nga ta e thonë edhe PDK-ja. Për dallim nga të tjerat, Lëvizja Vetëvendosje, nuk është duke pranuar të diskutojë për presidentit, me arsyen se i njëjti duhet të zgjidhjet pas mbajtjes së zgjedhjeve.