Arbëri

Mospagesa e rentës minerare dëmton buxhetin me afro 15 milionë euro

Buxheti i Kosovës vitin e ardhshëm do t’i humbë miliona euro për shkak të lirimit nga pagesa të rentës minerare për 229 kompani, në kohëzgjatje prej 5 muajve (janar-maj 2021). Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se amendamenti që përmban heqjen e pagesës dhe është përfshirë në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, është bërë për përfitime të kompanive të caktuara. E deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, i cili ka propozuar heqjen e pagesës për rentën minerare, ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se ligji është gjithëpërfshirës

Lirimi nga pagesa i rentës minerare për 229 kompani do të dëmtojë buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm për afro 15 milionë euro. Favorizimi i kompanive që sipas raporteve nga terreni nuk kufizuan aktivitetin gjatë pandemisë është bërë në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, për periudhën prej pesë muajve (janar – maj 2021). Madje, sipas të dhënave të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, në pesëmuajshin e parë të këtij viti kompanitë kanë operuar më mirë sesa në dy vjetët paraprakë.

Nga KPMM-ja kanë thënë se gjatë vitit 2019 janë inkasuar më shumë se 30 milionë euro nga renta minerare. Për rentë metalore janë inkasuar 2 milionë e 423 mijë euro, për rentë jometalore janë 3 milionë e 634 mijë euro, ndërsa për energjetikë (operimi i KEK-ut) janë inkasuar 23 milionë e 326 mijë euro. Në periudhën janar – maj të këtij viti, kompanitë kanë paguar afro 15 milionë euro, ndryshe nga një vit më parë kur shuma për të njëjtën periudhë ishte për 180 mijë euro më pak.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, ka ngritur dyshimet se propozimet e AAK-së në fillim kanë qenë për të ndihmuar biznese të caktuara. Ai në emisionin DESKU në KTV ka thënë se deputeti Gazmend Abrashi fillimisht kishte propozuar që të lirohen nga tantiema kompanitë që operojnë në tregun minerar dhe që kanë mbi 400 punëtorë. Kjo sipas tij, tregonte se po bëhet fjalë për Trepçën dhe Feronikelin.

“Trepça nuk e ka paguar këtë rentë, sepse nuk ka mundësi, që i bie se plani ka qenë që të ndihmohet vetëm një kompani, Feronikeli”, ka thënë ai.

Deputeti Abrashi: Përfitues janë të gjitha kompanitë, jo vetëm një siç është spekuluar

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, që është edhe propozuesi i heqjes së pagesës për rentën minerare, ka thënë se propozimi nuk ka lidhje me asnjë kompani, por se është bërë për t’iu ndihmuar bizneseve.

“Me vetë faktin që ligji është gjithëpërfshirës dhe nuk është përjashtues, mendoj që është spekulative dhe nuk i dedikohet një kompanie të caktuar. Propozimi ka qenë që të hiqet renta për vitin 2021 dhe taksa e BRRE-së, por në koordinim me partnerët qeverisës jemi dakorduar që nuk është fer që kjo taksë të bëhet vetëm përjashtuese, kemi kërkuar që të jetë gjithëpërfshirëse dhe e kemi reduktuar në 5 muaj”, ka deklaruar Abrashi.

Sipas tij, propozimi ka qenë që të përkrahet kjo tantemë në nivel vjetor dhe se ka kërkuar që këto biznese që janë të orientuara në eksport që kanë një numër të madh të punëtorëve.

“Në konsultime me deputetët që qeverisin vendin dhe vetë Qeverinë kemi ardhur në përfundim se nuk mund të bëjmë politikë përjashtuese, për shkak se efektet e Covid-19 i kanë atakuar të gjitha sferat dhe jemi dakorduar që të hiqet tantiema për të gjithë, prej 1 janarit 2021 deri më 31 maj të vitit 2021”, ka thënë ai.

Sipas tij, tantiema e përgjithshme që paguhet në KPMM është diku 30 milionë.

“Vetë fakti që në Kuvend është aprovuar 5-mujori që i bie diku 40 për qind e vitit, kjo tantiemë do të thotë është diku 14 milionë. Mendoj që kjo do të jetë një shtytje e madhe ekonomisë së Kosovës, kur të gjitha ekonomitë po ballafaqohen me Covid”, ka pohuar ai.

Ai ka thënë se Ligji është miratuar nga shumica e deputetëve dhe se Kuvendi nuk ka dashur që të zbatojë politika përjashtuese.

KPMM-ja: Kompanitë mund ta keqpërdorin situatën

Drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Ramiz Krasniqi, ka thënë se kompanitë që do të lirohen nga renta minerare nuk kanë pasur kufizim të punës gjatë pandemisë.

“Ndërmarrjet që kanë pasur prodhimtari, janë të gjitha këto ndërmarrje që kanë pasur punë dhe shitje të punës së tyre. Puna e KPMM-së nuk është ndërprerë asnjë ditë dhe ne kemi realizuar kërkesat e tyre. Të hyrat që i kemi pasur për këtë pesëmujor që janë diku mbi 15 milionë tregojnë se ndërmarrjet kanë punuar vazhdimisht”, ka theksuar Krasniqi

Kompanitë gjatë kësaj periudhe sipas tij, mund të shfrytëzojnë situatën duke nxjerrë më tepër material të nevojshëm, për të siguruar për gjithë vitin. Ai ka treguar se janë në kontakt me Qeverinë dhe Kuvendin që të nxjerrin një vendim që ndërmarrjet që lirohen nga tarifa e rentës të bëhet përmes planit që kanë dorëzuar, në mënyrë që të mos shfrytëzohet situata.

KOHA ka provuar që të marrë një qëndrim edhe nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, dhe nga deputetë të PDK-së lidhur me këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur.

Lirimi i pagesës së rentës minerare parashihet që të bëhet nga 1 janari deri më 31 maj sipas Ligjit për rimëkëmbje ekonomike i miratuar më 4 dhjetor nga Kuvendi i Kosovës. Renta minerare është shuma që duhet të paguajnë kompanitë për shfrytëzim të resurseve. Gurthyesit paguajnë 0.50 euro për metër kub, ndërsa KEK-u paguan 3 euro për metër kub për qymyr.