Arbëri

Edhe në gjysmëvjetorin e dytë mësimi pritet të vazhdojë në shkolla

Ministri i Arsimit Ramë Likaj, ka paralajmëruar që mësimi do vazhdojë në shkolla edhe në gjysmëvjetorin e dytë.

Sipas kalendarit shkollor, në gjysmëvjetorin e ardhshëm nuk do ketë pushim pranveror si dhe ditët e humbura do plotësohen gjatë të shtunave.

Gjatë raportimit në Institutin EdGuard lidhur me mbarëvajtjen e mësimit gjatë pandemisë, Likaj ka thënë se mbajtja e mësimit në shkolla ishte më tepër efektive.

“Mësimi vazhdohet në objektet shkollore edhe për gjysmëvjetorin e dytë sepse efekti është më i madh dhe kemi numër më të ulët të të infektuarve”, ka thënë Ramë Likaj.

Edhe pse sipas raportit të EdGuardit, 13 për qind të mësimdhënësve mendojnë që viti shkollor gjatë kohës së pandemisë ishte i humbur, 82 për qind nga mësimdhënësit thonë se duhet vazhduar mësimi me prezencë fizike në shkolla.

Bazuar në këtë raport, del se 2.301 mësimdhënës janë prekur me Covid-19 si dhe 1.649 nxënës.

Ministri Likaj ka thënë se shumica e shkollave kanë zhvilluar mësimin në objektet shkollore, ndërsa ka shtuar se ka shkolla që kanë mbajtur orët mësimore me 45 minuta.

“Shumica e shkollave kanë punuar në skenarin A, kemi vetëm 34 shkolla që kanë mbajtur mësim në distancë”, ka thënë Likaj

Sipas raportit nga EdGuardi, në pesë komuna, ka rezultuar se çdo i dyti nxënës nuk posedon kompjuter në shtëpi, ndërsa 67 për qind nga ata kanë ndjekur mësimin online me telefon.

Ministria e Arsimit ka paraparë një udhëzues për nxënësit dhe mësimdhënësit, përgjatë muajit të pushimit dimëror, në mënyrë që të mos mbesin mbrapa në zënien e mësimit dhe të jenë të angazhuar. Fëmijëve që kanë humbur më shumë se pesë ditë mësime do t’u ofrohet mësim plotësues, bazuar në udhëzuesin.

Sa i përket qasjes në mësim, Likaj ka thënë se është një problem mjaft i madh, ndërsa ka treguar që sot janë shpërndarë 270 lap-top për mësimdhënësit dhe 800 tabletë janë dhuruar për fëmijët më nevoja të veçanta dhe atyre që janë raste sociale, me ndihmë të UNICE-it.

Ministri Likaj ka thënë se MASH-i në masterplanin e miratuar ketë vit, ka paraparë 100 norma për ta zgjidhur ketë problem, meqë sipas tij, është e nevojshme që shkollat të kenë psikolog sidomos tani në kohë të pandemisë.

“Kjo është një situatë e rëndë psikologjike edhe për nxënësit, prindërit dhe për mësimdhënësit”, shtoi Likaj.