Arbëri

Nisin aktivitetet për parandalimin e pasojave nga pickimi i rriqrave

Nën kryesimin e ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, sot në Prishtinë u mbajt takimi i radhës i Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Krime Kongo në Kosovë.

Në këtë takim janë shqyrtuar aktivitetet e parapara për këtë vit nga të gjitha ministritë, agjencionet dhe autoritetet komunale të komunave endemike për këtë sëmundje, të parapara me Planin operativ për parandalimin dhe luftimin e EHKK 2017, me qëllim të menaxhimit të situatave me sukses të rasteve eventuale të sëmundjes së bartur përmes pickimit të rriqrave, transmeton Koha.net.

Ministri Rrahmani tha se aktivitetet e sivjetme, të parapara në Planin operativ janë vazhdimësia e aktiviteteve të ndërmarra nga Këshilli gjatë viteve të kaluara, që kanë rezultuar me një përgjigje adekuate dhe shmangien e viktimave në mesin e të pickuarave.

Në këtë takim, përfaqësuesit e Këshillit kanë diskutuar lidhur me fillimin e aktiviteteve parandaluese, secili nga resori që përfaqëson, ndërkohë është diskutuar aktivitetet e parapara në Planin operativ, është vendosur të fillojnë në javën e fundit të muajit mars.

U bë e ditur se në komunat endemike për EHCC, si Malisheva, Rahoveci, Suhareka e Klina, sensibilizimi i popullatës për masat mbrojtëse po luan një rol të rëndësishëm në uljen e pickimeve dhe se komunat janë të përgatitura për fillimin e repelimit të kafshëve dhe aktivitetet e tjera, që do të ndërmerren sipas planit operativ 2017.

Ndërkohë, qytetarëve u është bërë thirrje që të zbatojnë masat parandaluese të përgjithshme dhe specifike: të jenë të kujdesshëm gjatë punës në fusha e ara duke bartur veshmbathje të gjata, mirëmbajtjen e oborreve dhe kopshteve, kositjen e tyre me kohë, fëmijët të mos lihen të luajnë në livadhe e kopshte të pa kositura dhe të kontrollohen në mbrëmje nga prindërit nëse u është ngjitur ndonjë rriqër…, ndërkohë që të lajmërohen në qendrën më të afërt shëndetësore në rast se pickohen nga rriqrat, etj.