Arbëri

Kërkohet që kreu i ri i AKI-së të mos jetë luajal i politikanëve por i shtetit

Descriptive Text

Në koordinim me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kryeministri Avdullah Hoti ia ka kërkuar dorëheqjen drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashit. Veprimi është ndërmarrë pak kohë pasi AKI-ja u implikua në përpjekjen për të marrë dokumente topsekrete në Presidencë. Shoqëria civile i ka duartrokitur vendimit të përbashkët të Osmanit e Hotit, për ta larguar Gashin.

Është mandatuar për ta drejtuar Agjencinë Kosovare për Inteligjencë për një periudhë pesëvjeçare, por fill pasi e ka mbushur një vit në këtë funksion duhet ta braktisë zyrën. Kryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar nga Kreshnik Gashi që ta lirojë detyrën e drejtorit të AKI-së.

Kërkesa strikte është kumtuar nëpërmjet njoftimit më të shkurtër që Zyra e Kryeministrit e ka dhënë deri tash.

Veprimi është ndërmarrë në koordinim me kreun e shtetit.

“Ka pasur koordinim dhe dakordim të plotë ndërmjet u.d. së presidentes, dr. Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Hoti sa i përket lirimit nga detyra të drejtorit të AKI-së”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i ushtrueses së detyrës së presidentes Osmani. “U.d. së presidentes ka kërkuar nga kryeministri që sa më parë të dakordohen rreth udhëheqësit të ri të AKI-së mbi bazën e profesionalizmit, paanësisë politike dhe integritetit”.

Në shoqërinë civile ky veprim i përbashkët është duartrokitur.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, ka thënë se kreu i AKI-së duhet të jetë luajal i shtetit e jo i politikës.

“Fatkeqësisht, në vitet e fundit kemi parë që partitë politike, presidenti, por edhe kryeministri kryesisht kanë emëruar persona të cilët janë luajalë ndaj liderëve politikë, por jo ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Miftaraj. “Unë besoj që vendimi i fundit nga kryeministri dhe nga presidentja e Republikës është një ndër vendimet më të mira që janë marrë kohëve të fundit”.

Lirimi i detyrës i është kërkuar kreut të AKI-së pak kohë pasi Vjosa Osmani e kallëzoi në Polici një ngjarje që i kishte ndodhur në ditën e parë të punës, si ushtruese e detyrës së presidentes.

Një pjesëtar i AKI-së kishte shkuar dhe në prezencën edhe të sekretarit të Presidencës, Driton Gashi, kishte tentuar ta hapte kasafortën e sigurisë ku ndodheshin dokumentet e klasifikuara. Justifikimi që kishin dhënë ishte se EULEX-i donte ta bastiste Presidencën, informatë që misioni evropian e pati përgënjeshtruar pastaj.

Driton Gashi para se të bëhej sekretar në Presidencë kishte qenë shef i AKI-së. Ai thotë të mos e ndiejë veten përgjegjës për asgjë në lidhje me këtë ngjarje.

“Përgjigjen zyrtare e ka dhënë Prokuroria – institucioni i shtetit – nëse unë jam përgjegjës për ndonjë veprim ose jo... Për atë çështje ka pasur një lloj hetimi preliminar”, ka thënë Gashi. “Në atë hetim preliminar është konfirmuar zyrtarisht që nuk ka kurrfarë përgjegjësie penale”.

Më 30 mars të vitit 2018, Ramush Haradinaj si kryeministër i kishte kërkuar Driton Gashit ta linte detyrën e kreut të AKI-së, në formë pakënaqësie për aksionin që ishte marrë në fshehtësi për kapjen dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq, me kërkesë të Ankarasë zyrtare. Në vend të tij ishte vendosur Shpend Maxhuni, një tjetër njeri i afërt me Thaçin. E në fundvitin e shkuar Maxhuni dha dorëheqje për arsye shëndetësore. Pas kësaj, Kreshnik Gashi, njeri që shihej i afërt me PDK-në, ishte bërë drejtor i AKI-së, kurse Burim Ramadani, eksponent i AAK-së, ishte emëruar inspektor i përgjithshëm.

Gashi ka mbajtur disa pozita paraprakisht. Mes tjerash, ai ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, në kohën kur në krye të saj ka qenë Hashim Thaçi, që atëkohë e drejtonte PDK-në.

Miftaraj tregon se politizimi i vazhdueshëm i pozitës së kreut të AKI-së është përcjellë me pasoja.

“Republika e Kosovës duhet të ketë kujdes gjithmonë me këtë pozitë”, thotë Miftaraj. “Të sigurohet që personi që emërohet të ketë besimin ndërkombëtar, pasi që shtetet me të cilat Kosova bashkëpunon do të hezitojnë të ndajnë informata nëse në këto pozita emërohen persona politikë”.

Bazuar në Kushtetutë, presidenti dhe kryeministri së bashku emërojnë drejtorin e AKI-së. E ligji për këtë institucion thotë se drejtori i AKI-se shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar.