Arbëri

Mustafa: Barazia gjinore në punësim, parakusht i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për projektin “Vajzat në TIK”, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.

Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, shefi i zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, ambasadori i Norvegjisë, Per Strand Sjaastad, përfaqësues të USAID-it, NDI-së, si dhe përfitueset e trajnimit, u prezantuan dy fazat e para të pilot projektit, të kryera në Gjakovë, Lipjan dhe Prishtinë dhe zonat përreth.

Shumica prej 271 kontratave të punës online apo në internet të fituara nga afro 80 femra, kanë të bëjnë me zhvillim të webfaqeve, hulumtime të web, marketing digjital, asistente virtuale, futje të të dhënave, hulumtime dhe shkrime.

Mustafa tha se kjo është një hapje e dritares së punësimit të grave, të vajzave të një komuniteti tepër të rëndësishëm, në pikëpamje jo vetëm të sigurimit të barazisë në punësim, por edhe të sigurimit të zhvillimit ekonomik.

“Të gjitha studimet flasin që një shoqëri, e cila rregullon çështjen gjinore të punësimit dhe barazinë gjinore në punësim, ajo siguron parakushte shumë të rëndësishme të zhvillimit më të shpejtuar, të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të zhvillimit të barabartë ekonomik”, tha Mustafa.

Ai më tej theksoi se teknologjia e informacionit dhe e komunikimit ka një rol të veçantë në zhvillimin ekonomik të një vendi, në ekonomi konkurruese, në ekonomi të dijes dhe asaj të inovacionit.

Mustafa, po ashtu përgëzoi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për përpjekjet që i ka bërë në zhvillimin e suksesshëm të projektit “Gratë në punë online”, i bindur se përmes këtij programi në mënyrë iniciale është arrit që të që të punësohet një numër i konsiderueshëm i grave në një proces të hapur, konkurrues, para së gjithash të bazuar në dije dhe të bazuar në konkurrencë.

Më tej kryeministri theksoi se objektivat themelore të këtij projekti janë punësimi, janë eksporti, dhe është ekonomia gjithëpërfshirëse, dhe kjo paraqet në rend të parë përcaktimin që të zhvillojmë një ekonomi, e cila do të mundësoj një punësim më të madh të gjithë popullatës, sidomos të atyre që janë këtu dhe që përfaqësojnë një grupacion të veçantë dhe tepër të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ai falënderoi USAID-in për mbështetjen e dhënë si mbështetje të pandërprerë në zhvillimin ekonomik, dhe në inovime të ndryshme, në sektorë të ndryshëm, në këtë rast edhe në sektorin e bujqësisë dhe sektorë tjetër, sepse janë sektorë që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejt, dhe projektin HELVETIKAS, i cili është një projekt shumë i rëndësishëm për të ardhmen.

Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi, tha se projekti WOW ka hyrë në fazën e tretë e cila do të realizohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me USAID-in dhe do të zhvillohet në komunën e Gjilanit dhe Prishtinës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie u shpreh i lumtur që po merr pjesë në festimin e një suksesi të tillë, duke vlerësuar se projekti po ndryshon jetën e njerëzve për të mirë.

“Që nga zhvillimi i uebit, dizajni grafik e deri tek marketingu digjital, e shumë më shumë, ky program hap një rrugë të re të studimit dhe punësimit për gratë e Kosovës” tha ambasadori Delawie.

Shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, u shpreh i gëzuar me projektin, që është vetëm njëra nga sektorët me të cilën Banka Botërore po ndihmon punësimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës në përgjithësi.

Image