Arbëri

Qeveria nuk do të aplikojë në organizata ndërkombëtare deri në 2023-n

Qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti e ka në plan që moratoriumi për aplikimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, të zgjasë shumë më shumë përtej kohës prej një viti që e kishte dhënë si zotim në Shtëpinë e Bardhë. Aplikimet mund të deponohen tek në vitin 2023.

E dhëna ndodhet në Draftin e Planit të Punës së Qeverisë, referuar vitit të ardhshëm, e ku janë listuar veprime që parashihen të ndërmerren edhe në dy vitet vijuese.

Në Kabinetin e Hotit fillimisht e kanë mohuar ekzistencën e këtij dokumenti, por kur KOHA ua ka prezantuar, kanë dhënë një justifikim për përmbajtjen.

“Drafti i Planit të Punës së Qeverisë për vitin 2021, është një dokument i hartuar nga Zyra për Planifikim Strategjik në ZKM (Zyra e Kryeministrit). Në këtë fazë është nxjerrë në konsultim publik, nga Zyra për Qeverisje të Mirë (ZKM)”, ka thënë Antigona Baxhaku-Idrizi, këshilltare për media e Kryeministrit. “Në këtë hap, nuk mund të bëjmë komente sepse bëhet fjalë për një draft (projekt-propozim) i cili do të kalojë edhe hapa të tjerë të plotësim-ndryshimit dhe rishikimit para se të marrë formën përfundimtare dhe të miratohet nga Kabineti Qeveritar”.

Në këtë draft të planit të punës, Qeveria ka paraparë që në 2021-n vetëm ta hartojë listën e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare me rëndësi të veçantë për Kosovën, dhe të krijojë grupe punuese për lehtësimin e proceseve të aplikimit.

Për vitin 2022 ka planifikuar ta bëjë përgatitjen e aplikacioneve dhe eventualisht aplikimin në organizata më të vogla.

E, tek për në vitin 2023 është paraparë të bëhet aplikimi në institucionet dhe organizatat që kanë rol të madh në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës.

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK, thotë se kjo politikë është pasojë e zotimeve që kryeministri Hoti i kishte dhënë në Washington.

“Ky është epilog i mbrapsht i nisur nga një zanafillë e mbrapsht. Kosova ka shkuar në Uashington për të siguruar njohje nga Serbia, ndërsa është kthyer nga Uashingtoni duke u zotuar se nuk do të kërkojë njohje të reja dhe nuk do të bëjë aplikime në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Shasha. “Pra, zhvillim më regresiv nuk ka qenë e mundur të kemi”.

Mes zotimeve të shkruara që i kishte dhënë kryeministri në Washington, ishte edhe një moratorium një vjeçar që pauzon kërkimin për anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. E, në një plan veprimi të Qeverisë për zbatimin e këtyre zotimeve, ishte edhe lëshimi i një qarkoreje nga Ministria e Punëve të Jashtme për të gjitha institucionet, ku kërkohet të tërhiqen të gjitha aplikimet dhe ku theksohet se për një periudhë 1 vjeçare, Kosova nuk do të aplikojë në organizata ndërkombëtare.

Demush Shasha thotë se pasojat e këtyre zotimeve nuk do të jenë të vogla.

“Ne jemi dakorduar që kërkesat e Serbisë dhe kërkesat e Kosovës janë të barabarta. Pasojat e kësaj do t’i shohim në vitet në vijim”, ka thënë ai. “Njëjtë si i shohim sot pasojat e marrëveshjes 2013, 2016 për çështjen e asociacionit, ashtu edhe precedenti që është bërë për të mos aplikuar në organizatat ndërkombëtare do të krijojë pasojat në fuqizimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare”.

Në Draftin e programit të Qeverisë janë identifikuar katër organizata me rëndësi të veçantë, në të cilat synohet të aplikohet në 2023-n: Këshilli i Evropës, Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNESCO dhe Organizata Botërore e Tregtisë.