Arbëri

Vitija: Banorët e Bitisë së Poshtme na shkaktuan dëme të mëdha gjatë ndërtimi të hidrocentralit

Labinot Vitija, drejtor i kompanisë “Matkos Group” i cili ka ndërtuar 4 hidrocentrale, sot ka raportuar para Komisionit hetimor parlamentar për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës. Gjatë raportimit të tij, ai tha se për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, ai i ka respektuar të gjitha ligjet e Kosovës. Ai derisa i theksoi telashet që ka pasur për ndërtimin e hidrocentralit në Biti të Poshtme, tha se në këtë projekt banorët i kanë shkaktuar dëme rreth 2 milionë euro.

Ai tha se ashtu siç e parasheh ligji ka mbajtur edhe debate publike ku është paraqitur projekti për këto hidrocentrale, por që interesimi i banorëve për të dëgjuar për këto projekte ka qenë i vogël.

Vitija po ashtu ka treguar se si janë sulmuar nga banorët e Bitisë së Poshtme me armë si shenjë proteste.

“Pas debatit publik i mora edhe dokumentet tjera relevante siç janë pëlqimi ujor, autorizimi preliminar dhe tani përfundimtar…pas mora lejen përfundimtare për hidrocentralin e Viçës më 11 nëntor të vitit 2014 nga Zyra e Rregullatorit pas kësaj unë fillova e hapa trasenë diku 6 kilometra, ku janë 5 fshatra që përfshihen në atë zonë, ku vetëm në Bitin e Poshtme aty pata problem, prej disa banorëve… Në hidrocentralin Viça ku përfshihet edhe Bitia janë pesë fshatra aty prej 5 fshatra në Biti kam pasur problem pas këtij problem qytetarët donin të dini se çka po ndodh me ta se nuk kishin pasur informacion e mbajtëm një debat në ambientet e komunës ku kanë qenë nga ministria dhe komuna dhe ua kem shpjeguar krejt se si ka me ndodh”, tha Vitija.

Ai tha se hidrocentralin në Brezovicë e ka ndërtuar për gjashtë muaj dhe nuk ka hasur në asnjë kundërshtim nga banorët e asaj ane dhe në vitin 2017 hidrocentrali në fjalë është lëshuar për funksionim.

Drejtori i kompanisë “Matkos Group”, Labinot Vitija tha se për të investuar në Kosovë është mjaftë vështirë dhe investitorët hasin në shumë probleme.

Vitija kërkoi që politika të qëndrojë më larg nga investimet pasi siç thotë ai për një grusht vota janë shfrytëzuar qytetarët për të dal në rrugë dhe për të protestuar kundër projekteve të tij.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba u interesua të dijë rreth të hyrave të Vitijas kur e ka marrë projektin për ndërtimin e katër hidrocentraleve.

Madje ai kërkoi të di se a është duke u mbikëqyr puna gjashtë mujore e hidrocentralit në Brezovicë.

“Në momentin kur ke aplikuar ke qenë në moshë bukur të re a e ke pasur një kapital fillestar millionësh si investim a ke startuar me kapital të tillë apo ka qenë vetëm ide e më pas janë bërë edhe mundësitë …. Çka është problem konkret në Biti sepse vërtet aty ka pasur protesta dhe kundërshtime në një moment thatë se ky hidrocentral i përfshinë pesë fshatra ky debate që ke pasur a e keni pasur në pesë fshatra?”, pyeti Zyba.

E drejtori i kompanisë “Matkso Group”, derisa tregoi mënyrën e financimit të këtyre projekteve tha se ai ka punuar sipas ligjeve të Kosovës që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“E kam pasur një partner prej Bullgarisë ku ka pasur garancion bankar 30 milionë euro ku pasi që ka mbuluar investimin, më pas ai u tërhoq dhe fillova me të tjerë sepse vonoheshin proceset, shumë vështirë është me bind dikë me investua me të gjitha këto probleme sa i përket debatit sipas ligjeve kam punuar gjithçka sipas ligjeve që i keni krijuar ju. Sipas ligji si e ka kërkua ligji kam vepruar, kam mbajtur debat për të gjitha projektet e kam respektua ligjin besoj që gjithçka jam në rregull me ligjin”, tha Vitija.

Kurse, Bajrush Xhemajli nga PDK, pyeti se meqenëse hidrocentrali në Brezovicë është funksional, në cilën fazë ndodhen punimet për tre hidrocentralet tjera. Vitija me këtë rast tha se të tjerët janë në fazën finale dhe këtë vit pret që t’i bëjë edhe ata funksional.

Deputeti i PDK-së konkretisht pyeti se banorëve të Bitisë së Poshtme a kanë pasur reduktime të ujit të pijes për shkak të punimeve në këtë zonë.

Lidhur me dëmet e mundshme të shkaktuara nga punimet, Vitija tha se të gjitha dëmet i kanë sanuar me kohën.

Në Komisionin Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës aktualisht është duke raportuar Ylber Shamolli, drejtor i kompanisë “Eurokos”./KSP