Arbëri

Përjashtim politik i Drejtorit të Përgjithshëm të MPJD-së

Me dy vendime të fundit, Ministria e Jashtme ka larguar nga zyra dhe ia ka ndaluar gradimin deri në pesë vjet Drejtorit të Përgjithshëm, Albert Prenkaj. Të paligjshme, arbitrare, autoritare, e të diktuara politikisht i ka kualifikuar vendimet Prenkaj. Ai ka paralajmëruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, mekanizëm që masat e ngjashme që paraprakisht i kishte marrë ministrja Meliza Haradinaj, i kishte shpallur të pavlefshme

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka dhënë epilog një vendimi të kontestuar të ministres Meliza Haradinaj, e cila me ta marrë detyrën, kishte pezulluar nga puna drejtorin e përgjithshëm, Albert Prenkaj.

Nëpërmjet dy vendimeve të fundit, ambasadori Prenkaj është larguar nga zyra.

“Z. Albert Prenkaj, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i caktohet masa disiplinore largim nga zyra dhe transferohet në një lokacion dhe pozitë tjetër me detyra të ngjashme dhe i ndalohet gradimi deri në pesë vjet”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor të Ministrisë, i marrë më 26 nëntor, e të cilit i është shoqëruar një arsyetim prej katër faqesh.

Është vepruar kësisoj, ndonëse vendimi i ministres Haradinaj dhe një tjetër i nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Lulzim Morina, ishin shpallur të pavlefshëm nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Ambasadori Prenkaj i ka kualifikuar të jashtëligjshme masat e reja kundër tij.

“Përsëri kam marrë në mënyrë arbitrare/autoritare dy vendime të paligjshme: i ashtuquajturi ‘Komision Disiplinor’ i udhëhequr nga z. Korab Mushkolaj ka nxjerrë një kuazi-vendim të diktuar politikisht, dhe një vendim tjetër nga i ashtuquajturi Sekretar i Përgjithshëm, z. Shkelzen Morina, i cili nuk ndryshon aspak nga ai parapraku, që ka pasuar nga vendimi i ministres Hardinaj-Stublla, e që të dyja i pat hedhur poshtë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil”, i ka thënë KOHËS Prenkaj.

Në vendimin e Komisionit Disiplinor, që kryesohej nga Korab Mushkolaj, e që për anëtarë kishte edhe Lendita Gashin dhe Arben Muhametin, janë përligjur arsyet mbi të cilat ministrja Haradinaj kishte marrë masa kundër Prenkajt.

Mbi bazën e tri pretendimeve është marrë vendimi. Për Drejtorin e Përgjithshëm thuhet se ka refuzuar kërkesën e ministres për të marrë pjesë në një video-konferencë me shefa të misioneve diplomatike; ia ka ngritur zërin një këshilltareje të ministres si dhe; Nëpërmjet një statusi në Facebook ka dëmtuar imazhin e Kosovës, kur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i është referuar me “autokrat”, pas vendimit për ta rrëzuar Teatrin Kombëtar.

Sa i përket video-konferencës Prenkaj pati theksuar se nuk ka mundur ta udhëheqë për shkak të problemeve shëndetësore. E në lidhje me asistenten, ai kishte theksuar se vetëm i ka kërkuar që t’i mundësohet një takim prej dy minutash me ministren, për t’u sqaruar.

Prenkaj tash ka paralajmëruar se sërish do t’i drejtohet Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, institucion që kishte anuluar vendimet e bazuara mbi këto pretendime. E ai jep gjykimin pse të dyja vendimet e fundit janë të jashtëligjshme.

“Vendimi i të ashtuquajturit ‘Komision Disiplinor’ është nxjerrë në mënyrë arbitrare dhe sipas porosisë politike, është i pabazuar në ligj dhe përshkohet me shkelje të dispozitave procedurale, meqë nuk më është ofruar mundësia e paraqitjes së kundërshtimit tim dhe dëgjimi i versionit tim, si dhe parashtrimit të provave nga ana ime në seancë, duke caktuar qëllimshëm dhe sipas porosisë politike seanca pa marrë parasysh gjendjen time shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19, për çka kam dërguar raportet e Spitalit Rajonal në Pejë dhe të IKSHPK-së”, ka thënë Prenkaj. “Pra, gjendja ime shëndetësore ka qenë e rëndë për pesë javë rresht”.

Prenkaj ka kontestuar edhe ligjshmërinë e të gjitha vendimeve të Lulzim Morinës, pasi thotë se, në bazë të ligjit, ai nuk mund ta ushtrojë detyrën e sekretarit të përgjithshëm për më shumë se 3 muaj.

“E quaj të jashtëligjshëm zëvendësuesin e Sekretarit të përgjithshëm, pra ushtruesin e detyrës, z. Morina, ngase kohëzgjatja e një ushtrues detyre sipas nenit 30, paragrafi 4, të Ligjit për Shërbyes Civil, ushtruesi i detyrës nuk mund ta ushtrojë detyrën në afat kohor më gjatë se 3 muaj”, ka thënë ai. “Pra, një person i cili sipas ligjit nuk mund të vazhdojë ta ushtrojë deryrën e zëvendësuesit të Sekretarit të përgjithshëm, nuk ka fuqi juridike të nënshkruajë asnjë dokument e aq më pak të nxjerr vendim, as për themelim të komisioneve e as vendime për sistematizim”.

KOHA ka adresuar pyetje në Ministri, me kërkesën për të marrë qëndrimin e Morinës dhe anëtarëve të Komisionit Disiplinor. Përgjigjja ka munguar.