Arbëri

Osmani e Walkeri pajtohen “të punojnë për njohje të reja ndërkombëtare”

Descriptive Text

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, dhe ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker janë pajtuar për të vazhduar angazhimin “e përbashkët për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare”.

Vetëm një ditë pasi Osmani njoftoi se presidenca s’kishte pasur kurrë kontratë personalisht me Walkerin si këshilltar, në një komunikatë për media nga Zyra e Presidencës është bërë e ditur se të dy kanë biseduar “për të rikonfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit”.

“Z. Walker ka qenë një mik i devotshëm i popullit të Kosovës gjatë ditëve tona më të errëta dhe do të mbetet i tillë edhe tash e tutje. U.d. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Walker ranë dakord të kultivojnë bashkëpunimin e ngushtë me njëri tjetrin. Siç është cekur në komunikimin me shkrim të realizuar në muajin nëntor, të dyja palët presin të punojnë së bashku për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare dhe më shumë njohuri për Kosovën si dhe për të avancuar sundimin e ligjit në vend”, thuhet në njoftim të presidencës.

Të enjten Osmani kishte thënë se ka kërkuar të marrë raportet e punës për të kuptuar për natyrën e çfarëdo shërbimi që ishte bërë deri tash në Presidencë. Duke shtuar se kontrata kishte qenë me fondacionin me emrin “Fondacioni Walker” dhe jo personalisht me ish-ambasadorin. Sipas njoftimit nga Osmani, kontrata me fondacionin skadon në dhjetor.