Arbëri

Marku: Vrasja e të riut nga Policia, shkëndijë që i dha zjarr zemërimit të madh të popullit ndaj Qeverisë

Descriptive Text

Vrasja e të riut Klodian Rasha nga një polic në Shqipëri është vetëm “shkëndijë” që i dha zjarr një zemërimi të madh të popullit shqiptar ndaj Qeverisë, ka vlerësuar Mark Marku, profesor universitar nga Tirana.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Interaktiv, Marku ka thënë se edhe dy ditë pas rastit situata nuk është qetësuar e se protestat pritet të vazhdojnë.

“Problemi nuk është zgjidhur. Qytetarë të rinj kanë dalë për vrasjen absurde dhe kriminale të një djali të ri. Protestat s’janë vetëm për vrasjen e Klodianit. Kjo ishte shkëndija që i dha zjarr një zemërimi shumë të madh të njerëzve për shkak të keqqeverisjes, arrogancës, faktit që qindra mijëra të rinj ikin nga Shqipëria, Qeveria në mënyrë arrogante ka shembur Teatrin në mes të Tiranës, ka presion të lartë, është e lidhur me krimin, janë vjedhur vota”, ka thënë Marku.

Sipas tij, situata s’mund të qetësohet shpejt në Shqipëri pa “u shëruar pasojat e thella”.

“Rasti i vrasjes, siç ndodh me të gjitha llojet e regjimeve totalitare, shërben diçka si shkëndijë, por pasojat janë më të thella”, ka deklaruar më tej ai.

Reagimin e kryeministrit Edi Rama, që kërkoi falje për rastin dhe njoftoi për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, Marku ka thënë se e ka parë si “zakonisht, kur shpërthejnë protestat, ai frikësohet”.