Arbëri

Familjarët e të pagjeturve, të pakënaqur që nuk vizituan Kizhevakun

Për shkak të motit të lig, pas punës dyjavore, do të ndërpriten gërmimet në varrezën masive të Kizhevakut në Serbi. Përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur janë shprehur të pakënaqur që gjatë kohës së gërmimeve nuk u është mundësuar ta vizitojnë lokacionin ku janë gjetur mbetjet mortore

Prishtinë, 9 dhjetor – Dymbëdhjetë ditë është punuar në varrezën masive të Kizhevakut në Serbi për t’i nxjerrë mbetjet mortore të identifikuara muajin e shkuar, e të cilat dyshohet se u takojnë kosovarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit. Por, gjatë këtij viti familjarët e personave të pagjetur nuk do të mund të vizitojnë këtë lokacion, pasi gërmimet do të ndërpriten këtë të premte për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike. Dy ditët e fundit punimet i ka vështirësuar shiu i madh që ka rënë në zonën ku gjendet varreza.

Nga Kizhevaku, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i ka thënë KOHËS se gërmimet do të vazhdojnë në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Vendi është konservuar, pjesët kockore që kanë qenë në dukje i kemi tërhequr në tendë, është kryer obduksioni i tyre dhe janë marrë mostrat për analizë të mëtutjeshme të ADN-së. Andaj, duke marrë parasysh se kushtet atmosferike, si armiku më i madh i yni nuk na lejuan të vazhdojmë më tutje, po planifikojmë të premten si ekip profesional ta ndërpresim punën”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Gjatë së mërkurës është ndërtuar një çati për ta mbrojtur hapësirën ku gjenden mbetjet mortore, të cilat dyshohet se u takojnë shqiptarëve të Kosovës. Mirëpo, Bajram Çerkinaj nga shoqata “Zëri i Prindërve” është shprehur i pakënaqur që gjatë dy javëve sa zgjatën punimet nuk iu mundësua familjarëve të të pagjeturve që t’i shohin gërmimet.

“Çështja është që të shkohet dhe një familjar të shohë se çka ka ndodhur. Të shkohet me pesë ose gjashtë familjarë, nga pesë ose gjashtë komuna dhe kishte mjaftuar për ta parë vendin. Në Rudincë kemi shkuar dy ose tri herë me nga pesë apo gjashtë persona, mirëpo nuk i kemi penguar askujt, tash po i pengojmë, diçka nuk është shumë në rregull”, ka thënë Çerkinaj.

Ai dyshon se Serbia nuk po dëshiron që familjarët ta shohin vendin, siç thotë Çerkinaj, të krimit. “Nuk na kanë lejuar që të shkojmë dhe t'i shohim ku i kanë hedhur trupat e më të dashurve tanë, sepse secili prind mendon se është një trup i fëmijës të tyre, pavarësisht a gjenden dy, tre apo 25 trupa edhe pse ne e dimë që atje kanë shkuar mbi 400 persona deri në Rudnicë, por ku i kanë shpërndarë është diçka tjetër”, ka shtuar tutje Çerkinaj.

Mjeku ligjor, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se vizita e familjarëve ka qenë e planifikuar për këtë javë, por, sipas tij, këtë e ka pamundësuar moti i lig. Kjo vizitë, sipas Gërxhaliut, do të realizohet vitin e ardhshëm, kur të vazhdojnë gërmimet dhe të ketë gjetje më të mëdha të mbetjeve mortore.

“Zakonisht kur kemi dukje më të mirë, po them të mira në thonjëza, atëherë gjithmonë i thërrasim familjarët, sepse gjithmonë ka qenë edhe prioritet yni që familjarët ta shohin vendin e krimit”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Gërmimet në Kizhevak, i cili gjendet në rajonin e Rashkës, kanë nisur në vitin 2015. Por, mbetjet mortore janë identifikuar vetëm muajin e kaluar përmes imazheve fotografike nga ajri, të vitit 1999, të cilat i siguroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes Departamentit Amerikan të Shtetit. Nga lufta e fundit, Kosova vazhdon t’i ketë të zhdukur mbi 1 mijë e 600 persona.