Arbëri

Zmbrapset MPJD-ja, Petkoviqi viziton Kosovën pas reagimit të Lajçakut

Dy ditë në Kosovë ka pasur leje të qëndrojë drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ai, siç ka marrë vesh KOHA, në Kosovë ka arritur paraditen e së hënës, derisa është larguar pasditen e së martës.

Gjatë qëndrimit të tij, Petkoviqi, i cili është njëherësh edhe shef i delegacionit serb në dialogun Kosovë-Serbi, ka vizituar komunat në veri ku ka thënë se lajmi se pas 14 dhjetorit kjo pjesë do të mbetet pa rrymë është vetëm trillimi i Gjorgjeviqit për përfitime politike.

Por, kryeministri Avdullah Hoti ka mohuar se i njëjti ka pasur në agjendë vizitën edhe në Skenderaj, ashtu siç ka pretenduar kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari.

“Zyrtari serb nuk ka qenë në Komunën e Skenderajt. Nuk qëndrojnë ato informata. Siç duket janë dhënë nëpër media dhe pastaj mbi bazën e atyre informatave kryetari i Skenderajt ka reaguar. Kur lejoj vizitën e një zyrtari serb ne lejojmë në përputhje me një itinerar dhe vendet saktë se kur do të hyjë në Kosovë, në vendet kur do të shkojë dhe kur do të dalë nga Kosova”,ka deklaruar Hoti.

Kreu i ekzekutivit, deklaroi se leja për vizitën e Petar Petkoviqit është dhënë në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Por, më 25 nëntor, shefja e diplomacisë kosovare, Meliza Haradinaj, kishte qëndrim tjetër për vizitën e Petkoviqit në Kosovë. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Haradinaj tha se nuk do të ketë leje për zyrtarët serbë, derisa të njëjtit nuk kërkojnë falje për krimet e bëra.

Lidhur me arsyet që çuan në ndryshimin e qëndrimit të Haradinajt karshi vizitës së zyrtarëve serbë, KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga MPJ-ja. Por, një e tillë ka munguar.

Përgjigje KOHA nuk ka marrë as nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Gjatë vizitës së tij, Petkoviqi është shoqëruar nga zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Ndonëse nuk kanë dhënë detaje, nga Policia kanë thënë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore e në bashkëpunim me institucionet kompetente.

“Lidhur me informacionet për vizita, leje për hyrje apo refuzim të hyrjes në Republikën e Kosovës së personaliteteve të ndryshme, mund t’i adresoheni autoritetit kompetent. Ndërsa Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
 

Ministria e Punëve të Jashtme, më 21 nëntor, bëri të ditur se ka refuzuar kërkesën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, e të drejtorit Petar Petkoviq, duke e konsideruar atë si ofenduese.

Dy ditë më pas, për refuzimin e kërkesës së Vuçiqit e Petkoviqit, ka reaguar emisari i BE-së, Miroslav Lajçak. Përmes një letre dërguar kryeministrit Avdullah Hoti, Lajçaku kritikoi ekzekutivin për shkeljen e marrëveshjes për lëvizje të lirë.