Administrata e re amerikane është rekomanduar për angazhim më të fuqishëm në përpjekjen e Kosovës që ta arrijë njohjen e plotë dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit ka mbajtur të martën konferencë dëgjimore, ku morën pjesë ish-diplomatë amerikanë dhe ekspertë të çështjes së Ballkanit.
Nikoqiri i takimit, kongresisti Elliot Engel, ka folur për domosdoshmërinë që Kosova të shihet si vend normal dhe të mos i bëhet presion për llogari të Serbisë.
“Kosova nuk po shihet si vend normal me të cilin kemi marrëdhënie të mira. Kemi parë t’i kërkohet të negociojë për çështje sovraniteti për një marrëveshje me Serbinë. Madje, administrata Trump paralajmëroi largim të trupave ushtarake prej atje. Shpresojmë që me presidentin ta rikthejmë në binarë çështjen e Kosovës. Populli i Kosovës e do Amerikën dhe ne jemi përgjegjës për lirinë dhe shtetin e tyre të pavarur”, ka thënë Engel.
Ai e ka quajtur të padrejtë që Kosovës t’i kërkohet gjykimi i krimeve të luftës në Dhomat e Specializuara, e Serbia të amnistohet.
“Kosova u detyrua ta krijojë Gjykatën Speciale pas pretendimeve për trafikim organesh. Çdo kush që ka kryer krime, nga secila palë duhet të sillet para drejtësisë. Por pyes: çfarë drejtësie po kërkohet për Kosovën, kur Serbia nuk ballafaqohet me presion për t’i sjellë fajtorët para gjykatës”, ka theksuar Engel. “Nëse Kosova ka bërë krime, duhet të mbahet përgjegjëse. Por nuk duhet gjykuar vetëm një etni, kjo është saktësisht ajo që po ndodh. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët nuk duhet lejuar që të bëhet gjykatë një-etnike, sepse kjo ndikon në thellimin e ndarjes mes komuniteteve. Të gjitha krimet duhet të gjykohen, pa marrë parasysh se kush, edhe pa marrë parasysh se në cilën kohë kanë ndodhur”.
Ndërkaq, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, ka propozuar tre hapa strategjikë që duhet t’i ndërmarrë administrata Biden.
“E para, duhet bashkëpunim më i afërt me BE-në, të cilën duhet ta ndihmojmë me politika të mira. E dyta, duhet ta përkrahim luftën kundër krimit dhe korrupsionit në shtetet e Ballkanit, duke forcuar institucionet demokratike. Është shumë me rëndësi adresimi i asaj që quhet shtete të kapura. E treta, duhet qasje regjionale për ndihmë ekonomike, pra të negociohet me secilin vend veç e veç. Nuk duhet lënë në izolim asnjë vend. Lidhjet ekonomike të Kosovës me Evropën duhet të ndihmohen”, ka thënë Albright.
"Korrupsioni mbetet problem serioz dhe liderët nacionalistë vazhdojnë t’i fryjnë ndarjeve etnike. Rusia dhe Kina po punojnë për të përhapur propagandë në Ballkan. Prandaj, prioritet për presidentin Biden duhet të jetë mbështetja e proceseve demokratike dhe ndërtimi i një shoqërie të përparuar".
Që Kosova të bëhet një vend normal, sipas ish-sekretares, SHBA-ja duhet ta ndihmojnë anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe të përjashtohet çfarëdo përpjekje për negocim të sovranitetit.
Ndërkaq, eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se gara SHBA-BE e pengoi përparimin në dialogun Kosovë-Serbi.
“Bideni duhet t’i konsultojë evropianët për një vizion të qartë në Ballkan. Dialogu Prishtinë-Beograd kërkon më shumë angazhim amerikan dhe duhet fokusuar në implementim dhe reciprocitet. Reciprociteti nënkupton edhe kur vjen puna te gjykimi i krimeve të luftës, pra që Dhomat e Specializuara të mos e ndjekin vetëm një etni. Bideni, po ashtu, duhet t’u kërkojë qartë pesë vendeve të BE-së që ta njohin Kosovën, si dhe të angazhohet për ta bindur Rusinë dhe Kinën të mos vendosë veto në OKB”, ka thënë Serwer.
Pjesë e konferencës ka qenë edhe analisti, Janusz Bugajski, i cili ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të çojë drejt njohjes reciproke.
“Takimi i 4 shtatorit ndihmoi, por SHBA-ja nuk duhet të fokusohet vetëm në marrëdhëniet ekonomike, pa i adresuar çështjet politike. Për Moskën, Ballkani po përdoret për ta dëmtuar Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara duhet ta mbështesin BE-në për ta shmangur këtë”, ka theksuar Bugajski.
Kjo konferencë mbahet pas ndryshimeve që prodhuan zgjedhjet në administratën amerikane. Presidenti i ri, Joe Biden, do ta marrë detyrën në janar të vitit 2021.
Edhe gjatë fushatës zgjedhore, demokrati kishte premtuar ndryshim të qasjes amerikane në raport me Kosovën. Ai është zotuar për ringjalljen e dialogut në bashkëpunim me BE-në, me synimin që të arrihet zgjidhja që garanton njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
-
Nga: Fitim Gashi
-
8 dhjetor 2020 20:03
-
Shpërndaje në: