Arbëri

Engel: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Descriptive Text

Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesëve në SHBA, Eliot Engel, sërish ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se është një realitet i pakthyeshëm.

Në fjalimin e tij sot në Komitet, Engel, ka thënë se Serbia duhet ta pranojë këtë realitet dhe të ecë para. Pasi me tentimin për të bllokuar njohjen e Kosovës e bllokon veten.

Engel në fjalimin hapës ka folur për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe ka udhëzuar se si duhet të veprojë tutje administrate e re amerikane në Ballkan.

Engel ka thënë se asnjë vend nuk ia ka prekur më tepër zemrën sesa Kosova.

Ai ka thënë se është krenar që lidershipi amerikan me aleatët e NATO-s ka ndaluar gjenocidin në një shtet në Evropë.

“Kosova është një shtet i pavarur dhe është tash e më tepër se një dekadë. Nëse e kthen kohën tri dekada prapa, kjo mund të duket si një ëndërr. Por sot Kosova i është bashkuar Bankës Botërore, IMF-së dhe më tepër se 110 shtete e kanë njohur pavarësinë e saj, përfshirë SHBA-ja, Britania, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë shtete tjera të rëndësishme. Kosovarët po tregojnë talentin e tyre, ku ka këngëtarë me famë botërore e futbollistë. Po ashtu në vendin ku jetoj në Ne] York ka pronarë të patundshmërive dhe restoranteve. Por mbesin sfida serioze. Më e rëndësishme, është koha për Serbinë të ecë para. Kosova është e pavarur, kjo nuk do të kthehet prapa. Duke bllokuar njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB e organizata tjera, Serbia në fakt e bllokon veten. Pasi kërkesa për t’iu bashkuar BE-së nuk do të aprovohet pa e njohur Kosovën”, ka deklaruar Engel.

Ai ka folur edhe për krimet e luftës në Kosovë, e po ashtu e ka quajtur të padrejtë Gjykatën Speciale, duke thënë se momentalisht po gjykon vetëm shqiptarët, po bën gjykime në baza etnike.

Ai ka thënë se Serbia ka kryer shumicën e krimeve të luftës në Kosovë dhe se ajo nuk po i dënon kriminelët e nuk po ka as presion nga ndërkombëtarët. Ndërkohë Kosovës, si viktimë, i është bërë presion për themelimin e një Gjykate Speciale për të hetuar krimet e luftës.

Ai ka thënë se të gjithë që kanë kryer krime duhet të dënohen, por se kjo gjykatë hibride me gjyqtarë ndërkombëtarë, duket se po bën selektime vetëm në baza etnike.

Ai e ka quajtur Gjykatën Speciale si pjesë e problemit më të gjërë se si SHBA-ja i është qasur Kosovës. Ai ka thënë se SHBA-ja nuk e ka parë Kosovën si partner të vërtetë sovran, e si shtet të rregullt me të cilin ka marrëdhënie normale bilaterale. Ai ka thënë se madje janë limituar edhe zgjedhjet sovrane të Kosovës për të evituar ofendimet e Beogradit.

“Për fat të keq me veprimet e administratës Trump kemi kontribuuar në rrëzimin e Qeverisë së Kosovës jo shumë kohë më parë. I kemi thënë Kosovës se nuk mund të aplikojë bazën e reciprocitetin në tegti me Serbinë, që është parim themelor. Madje vendosëm edhe frena në ushtrinë mbrojtëse të vogël të Kosovës. Këto gjëra duhet të ndalin. E shpresoj që administrate e re e zgjedhur Biden të rregullojë këtë”, ka thënë Engel.