Arbëri

Ministria e Jashtme anulon konkursin ku kishte aplikuar gruaja e Ramush Haradinajt

Ministria e Punëve të Jashtme është tërhequr nga konkursi për rekrutimin e 15 nëpunësve në misione konsullore, për të cilin “Koha” ka raportuar se në garë janë familjarë e eksponentë të AAK-s si dhe ish-anëtarë të PSD-s.

Sipas MPJ-së, deri tek anulimi ka ardhur për arsye objektive, teksa kanë paralajmëruar se konkursi i ardhshëm do të shpallet posa të krijohen kushtet e nevojshme.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar në konkursin e shpallur më datën: 15.07.2020, për pozitën: Nëpunës të Misionit Konsullor, për arsye objektive bën anulimin e konkursit. Konkursi i ardhshëm do të rishpallet posa të krijohen kushtet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e MPJD-s.

Në konkursin e MPJ-s për tu bërë pjesë e shërbimit diplomatik ka qenë gruaja e ish-kryeministrit Haradinaj, Anita. Kishte aplikuar edhe Aida Dërguti, ish-deputete e PSD-s. Kjo parti në zgjedhjet e fundit garoi me listë të përbashkët me AAK-n, por nuk arriti ta fitojë asnjë ulëse në Kuvend.

“Koha” ka pyetur në MPJ se cilat kanë qenë arsyet objektive por nuk kanë ofruar sqarime. Në përgjigjen e fundit që ka pranuar “KOHA” më 8 tetor, komisioni ka qenë në proces të shqyrtimit të ankesave të kandidatëve.

Burime brenda këtij dikasteri kanë thënë se deri tek anulimi ka ardhur për t’i shmangur reagimet e mundshme pas përzgjedhjes së kandidatëve, të ngjashme me ato që prodhuan emërimet e konsujve të përgjithshëm në mënyrë të jashtëligjshme.

MPJD: Konkursi u anulua pas ankesave të shumta

Ministria e punëve të Jashtme në një përgjigje me shkrim për “Kohën” e ka mohuar këtë teksa ka dhënë versionin zyrtar për arsyet e anulimit të konkursit.

Këshilltari politik i ministres, Bul Salihu i ka thënë “Kohës” se deri tek anulimi i konkursit ka ardhur si rezultat i ankesave të shumta të pranuara në MPJD nga aplikantët. “Përgjigja ndaj secilës ankesë, siç e parasheh ligji, ka bërë që ky proces të tej zgjatët shumë. Duke marrë për bazë këtë, me rekomandim edhe të Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është anuluar ky konkurs”, ka thënë Salihu. Sipas tij, për pozitën e nëpunës konsullor kanë aplikuar 184 vetë.

Salihu ka theksuar se, anulimi nuk ka të bëjë fare me vendimin e u.d të Presidentes.

“Për dijeninë tuaj, nëpunësit konsullor nuk ndërlidhen fare me kompetencat e u.d të Presidentes, pasi janë shërbyes civil të ministrisë, të cilët pranohen me konkurs. Pas trajnimeve dhe gradimit mund të shërbejnë në pozitat e konsujve. Siç e cekëm më lartë, për shkak të tejkalimit të afateve ligjore dhe si rezultat i ankesave të shumta ka ardhur deri te anulimi i këtij konkursi”, ka thënë ai.

Sa i përket kandidimi të gruas së ish-kryeministrit, Salihu ka shtuar se konkursi ka qenë i hapur për të gjithë ata që kanë plotësuar kriteret e parapara.

“Duke respektuar të drejtën e secilit për të aplikuar dhe duke mos cenuar privatësinë e asnjërit prej tyre, si institucion nuk mund të përmendim emra të përveçëm”, ka thënë ai.

Katër dekrete për emërimin e konsujve i shfuqizoi ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani. Në mesin e tyre, ishte edhe Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-s, Haxhi Shala, për të cilin raportoi “Koha”. MPJD nuk është deklaruar ende rreth shfuqizimit të këtyre vendimeve, të cilat ishin marrë në bashkëpunim me ish-presidentin Thaçi.

Pas skandalit me konsujt edhe kryeministri Hoti që ishte shfaqur i painformuar, ka paralajmëruar rishikim funksional të misioneve diplomatike.

Konkursi nuk ishte miratuar nga Administrata Publike

Konkursi nuk e ka pasur as miratimin e dikasterit të Administratës Publike që tani funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. MPJ ishte arsyetuar se legjislacioni në fuqi nuk kërkon aprovim nga institucionet tjera respektive, “sepse anëtarët e shërbimit të jashtëm nuk i nënshtrohen rregullave të shërbimit civil, për shkak të specifikave të veçanta”.

Por sipas nenit 12 të Ligjit për Shërbimin Civil, “pozitat e karrierës dhe të jo karrierës miratohen nga qeveria, për institucionet e ekzekutivit, pas propozimit të institucionit përkatës dhe aprovimit të ministrisë përgjegjëse për administratë publike dhe ministrisë përgjegjëse për financat”.

Ministria e Punëve të Jashtme kishte hapur konkurs për staf të ri megjithëse nuk e ka përfunduar procesin i ri-sistemimit të stafit aktual diplomatik. Për shkak të punësimeve të vazhdueshme, shumë misione konsullore janë mbi ngarkuar me staf, përtej nevojave që ekzistojnë.

Vendet të cilat Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka identifikuar me rëndësi për të çuar staf të ri, mes tjerash janë Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Britania e Madhe, Gjermania e Franca, Republika e Italisë, Konfederata e Zvicrës, Mbretëria e Suedisë, Mbretëria e Japonisë, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Australia, Republika e Senegalit.

Një rekrutim i ri do të duhet t’i kalojë një vit më MPJ para se ta fitojë të drejtën për të aplikuar për gradë diplomatike, e pastaj për mision.