Arbëri

GAP: Nga rimbursimi i Trustit më së shumti përfitojnë punëtorët e sektorit publik

Prishtinë, 6 dhjetor – Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike, i cili u miratua në Kuvend të premten dhe është dekretuar nga u.d. e presidentit, Vjosa Osmani, i është kontestuar kushtetutshmëria, me arsyetimin se ka elemente që diskriminojnë një pjesë të qytetarëve. Opozita dhe ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se ligji që lejon rimbursimin vetëm të atyre që kanë nën 10 mijë euro të grumbulluara në Fondin e Kursimeve Pensionale, është i papranueshëm.

Blend Hasaj nga Instituti GAP ka theksuar se ka shumë arsye se pse rimbursimi i vetëm një pjese të qytetarëve krijon pabarazi sociale.

“Së pari diskriminohen punëtorët që kanë punuar për një kohë më të gjatë ndoshta edhe me rroga më të vogla dhe favorizohen ata që punojnë me një kohë më të shkurtër dhe ndoshta me paga më të larta. Dhe çfarë është me rëndësi të ceket, në bazë të të dhënave që i ka publikuar edhe Trusti, kostoja e rimbursimit do të jetë diku mbi 110 milionë euro dhe personat që do të përfitojnë kryesisht nga ky rimbursim besoj që janë punëtorët e sektorit publik”, ka thënë Hasaj.

Ai ka potencuar se prekja e Trustit është një precedent i keq dhe krijon mundësi që edhe Qeveritë e tjera të mundohen të përfitojnë politikisht duke ndërhyrë në kursimet pensionale të qytetarëve.

“Sa i përket rimbursimit të një pjese të Trustit, normalisht që kjo bie ndesh me parimet dhe me atë që thekson Kushtetuta, pasi që politikat apo instrumentet të cilat i ka Qeveria nuk mund t'i përdorë që ta rrisë pabarazinë sociale në shoqëri”, ka shtuar ai.

Ndonëse ekzistojnë mundësitë që Projektligji të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese për diskriminim të qytetarëve, nga Lëvizja Vetëvendosje edhe pse e kanë kritikuar këtë projektligj, nuk kanë treguar nëse planifikojnë të bëjnë një gjë të tillë. Megjithatë, ata kanë thënë se një pjesë të ligjit që u votua të premten, vetë ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e kishte cilësuar antikushtetues, raporton KOHA.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar dhe rrjedhimisht nuk e ka votuar këtë projektligj për shkak se ai i varfëron qytetarët, derisa i ndihmon oligarkët. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar që qytetarët të ndihmohen nga buxheti i shtetit e jo të detyrohen t’i prekin kursimet e tyre në Trustin Pensional në këtë kohë krize. Për jokushtetutshmërinë e këtij ligji ka folur me bindje ministrja e Financave dhe Transfereve, znj. Bajrami”, kanë thënë nga Vetëvendosje. Sipas tyre, për votimin e një ligji antikushtetues, siç ka deklaruar ministrja Bajrami, ajo dhe Qeveria duhet të mbajnë përgjegjësi politike, ligjore e morale.

“Koalicioni qeverisës bashkë me partnerin e saj, Partinë Demokratike të Kosovës, me vetëdije të plotë dhe me paramendim kanë votuar një ligj jokushtetues. Për këtë do të ishte mirë të kishte një sqarim nga vetë koalicioni qeverisës se çfarë ndryshoi në ndërkohë dhe se si një marrëveshje politike iu mbivendos Kushtetutës”, thuhet tutje në përgjigjen e Vetëvendosjes.

Ndonëse nga mbështetësit Projektligji është vlerësuar si “infuzion” për qytetarët dhe si mundësi e rritjes së parasë në treg, të dhënat tregojnë se ndikimi do të jetë afatshkurtër dhe se vlerat e tërhequra janë simbolike. Për 104 mijë kosovarë është konfirmuar se kanë afro 100 euro në Trust, që do të thotë mund të tërheqin vetëm nga 10 euro.

Po ashtu rimbursimi i mjeteve për kontributdhënësit që kanë nën 10 mijë euro në Trust dhe tërheqin 10-përqindëshin e asaj shume, do të jetë barrë e taksapaguesve, që në perspektivë përkthehet si varfërim i tyre dhe i buxhetit.

Aplikimi për tërheqjen e këtyre mjeteve nga Trusti do të mund të bëhet pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe do të zgjasë rreth 4 muaj.